Policia serbe ka vijuar operacionin “Rrufeja”, kundër një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës në mbarë Serbinë, duke arrestuar 124 persona të tjerë dhe sekuestruar 21 kg substanca narkotike.

Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën prokurorja Zagorka Dollovac, e cila ka sqaruar për gazetarët në një konferencë shtypi se 70 të dyshuar vazhdojnë të mbahen të ndaluar prej 48 orësh.

Dollovac ka komunikuar se në fazat e reja të operacionit, ekzekutimi i të cilit nisi të premten e kaluar, janë sekuestruar 7 kg heroinë, 5 kokainë dhe lloje të tjera narkotikësh.

“Është zbuluar një laborator për prodhimin e drogës, janë gjetur 27 pistoleta, 16 pushkë, një armë automatike, katër bomba dhe 525 gramë eksploziv”, ka vijuar prokurorja.

Ajo ka shtuar se organi i akuzës ka ngritur padi kundër 180 individëve dhe pritet që 100 të tjerë të ndiqen penalisht nën dyshimin për trafik narkotikësh.

Bëhet fjalë për operacionin më të madh anti-drogë të zhvilluar ndonjëherë nga shteti serb kundër krimit të organizuar vendas, që është i degëzuar në shumë vende evropiane dhe trafikon sasi të mëdha droge, si heroinë ashtu dhe kokainë nga Amerika Latine. 

Top Channel