Policia greke ka shkatërruar dy organizata të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas policisë helene, operacioni i parë u zhvillua në periferi të Athinës, ku tre shtetas shqiptarë të moshave 29, 30 dhe 32 vjeç u arrestuan në flagrancë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia thotë se këta tre shtetas, në bashkëpunim me dy shqiptarë të tjerë të shpallur në kërkim, po dërgonin 891 kg kanabis me kamionë drejt vendeve europiane.

Ata e paketonin lëndën narkotike në plaçkat e banesave të ndryshme dhe nën pretekstin se do të emigronin drejt vendeve europiane i dërgonin ato me kamionë me qira.

Siç raportohet, dokumentacioni i ngarkesës ishte i rregullt dhe vulosej normalisht në zyrat doganore, duke bërë të pamundur kontrollin prej autoriteteve vendase.

Policia thotë se ka qenë një hetim i rastësishëm ndaj njërit prej të arrestuarve, që bëri të mundur shkatërrimin e organizatës.

Ndërkohë, në një operacion tjetër të zhvilluar në zonën e Kosturit, në veri të Greqisë, katër shtetas shqiptarë u arrestuan nga anti-droga e Athinës, e cila hetonte prej disa muajsh anëtarët e këtij grupi.

Sipas policisë, në automjetet e të arrestuarve u gjetën 368 kilograme kanabis. Katër të arrestuarit deklaruan se e kishin blerë kanabisin në vijën kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Sasia e drogës do të dërgohej në Athinë, ku dhe do të shpërndahej.

Në përfundim të këtyre operacioneve, të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre iu dërguan gjykatës së Athinës, e cila vendosi t’i lërë ata në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel