Kundërshtimi i dibranëve, lidhur me devijimin e ujërave të lumit Radikë, ka mbërritur edhe në formë zyrtare në qeverinë e Maqedonisë.

Drejtuesi i Këshillit komunal të Dibrës, Bashkim Mashkulli, të mërkurën i dorëzoi qeverisë vendimin unanim të Këshillit, kundër ndërtimit të hidrocentralit në lokalitetin “Fusha e Llukovës”, që parasheh devijimin e rrjedhës së Radikës dhe kanalizimin e ujërave drejt lumit Vardar, e më tutje në detin Egje, dhe jo në Adriatik.

“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të projekteve energjitike, por jemi kundër devijimit të lumit Radika, i cili ka rrjedhë natyrore nëpër Dibër dhe kalon në Shqipëri. Devijimi i ujërave, që bëhet me këtë projekt, i çon ujërat e lumit Radika në lumin Vardar dhe më pas në Greqi”, tha Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit Komunal në Dibër.

Devijimi i rrjedhës së Radikës, përveç dëmeve që do t’i sjellë banorëve me mungesën e ujit për vaditje, rrit mundësinë edhe për tërmete në rajonin e Dibrës.

“Banjat e Dibrës janë ujëra termale, që nëse devijohet lumi Radika, ekziston mundësia të zhbalancohen, mund të humbet uji, mund të shkaktohen shpërthime, kur e dimë se nëntoka e Dibrës është nën ujë të nxehtë dhe digjet diçka. Nesë devijohet Radika, ekziston mundësia që të shkaktohen tërmete në Dibër”, tha Abdyl Kolëci, kryetar i Bashkësisë së Ujërave në Dibër.

Dibranët thonë se projekti për kanalizimin e ujërave të Radikës drejt lumit Vardar, që derdhet në Detin Egje në Greqi, i shkakton dëme edhe Shqipërisë.

“Dëmin më të madh e ka Republika e Shqipërisë, pasi me këtë ujë furnizohen katër hidrocentrale. Ne kemi besim që Shqipëria të jetë kundër këtij projekti”, tha Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit Komunal në Dibër.

Dibranët kanë dorëzuar në qeverinë e Maqedonisë edhe peticionin me mbi 7 mijë firma, kundër devijimit të rrjedhës së Radikës. Ata paralajmërojnë protesta të reja, nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre.

Top Channel