Arrestohet gjyqtari i Pukës

12/12/2013 00:00

Në zbatim të urdhërit të Prokurorisë, Policia e Tiranës prangosi Shtjefën Lleshi, gjyqtari i Gjykatës së Pukës i përfshirë në skandalin korruptiv të denoncuar në “Fiks Fare”.

Shtjefni është arrestuar pranë banesës së tij në rrugën “Don Bosko” në kryeqytet, pas mesditës së enjte.

Pas autorizimit nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokuroria iu drejtua gjykatës me kërkesën për masën e sigurisë arrest me burg për Lleshin, pavarësisht se ky i fundit kishte deklaruar më parë se nuk do t’i shmangej hetimit dhe ishte i gatshëm të përballej me të.

“Do të jem i gatshëm të deklaroj për këtë cështje hetimore të filluar tashmë, gjatë gjithë hetimit dhe gjykimit dhe nuk do të largohem për asnjë çast, por do të qëndroj deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të kësaj çështje dhe zbardhjen e saj deri në fund. Po kështu unë do të jem përballë çdo akuze të drejtpërdrejtë, apo akuze të përpunuar rëndom qoftë ajo”, tha ai para disa ditësh në media.

Të martën gjykata la në fuqi gjashtë masa arresti të dhëna në mungesë të të pandehurve të tjerë të skandalit të drejtësisë në Pukë, duke lënë në burg ish- prokurorin e këtij rrethi, kancelaren e gjykatës, një sekretare dhe dy avokatë.

Top Channel