PD feston 23-vjetorin e themelimit

12/12/2013 00:00

Në 23-vjetorin e themelimit të PD, kreu i saj Lulzim Basha theksoi se kjo forcë politike nuk gjunjëzohet përballë asgjëje.

“PD lindi nën terrorin e regjimit më të egër që kishte njohur Europa e pasluftës. Ajo u rrit dhe u fuqizua në zemrat, mendjet dhe shpirtin e cdo shqiptari. Prandaj, asgjë dhe askush nuk mund ta gjunjëzojë atë. PD është ngritur e ringritur gjithnjë e më e fortë, së bashku me ju demokratë e demokrate, themelues e qendrestarë, të rinj e të reja që e shikoni këtë forcë politike si shpresën e të ardhmes suaj, ne do ta ringrejmë fuqinë e PD me të njëjtën forcë, që u themelua 23 vjet më parë, për ta kthyer aty ku e ka vendin, në drejtim të projektit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë moderne dhe europiane”, u shpreh Basha.

Sipas zotit Basha, PD është një parti, që përfaqëson vlerat më të larta qytetare e që do të ketë gjithmonë parësore marrëdhënien me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.

“Kjo është sfida jonë e re, e përbashkët për fillimin e ri, për ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë dhe në qeverisje me energji, ide, projekte të reja për Shqipërinë e zhvilluar, Shqipërinë zonjë mes vendeve simotra të Bashkimit Europian. Do ta bëjmë, do ta arrijmë”, theksoi Basha.

Në festën e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Ky 23-vjetor ishte edhe festa e parë e Kastriot Islamit si demokrat. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit më të lartë të partive aleate, pjesëtarë të trupit diplomatik dhe krerë të komuniteteve fetare.

Në fotot, që kryetari Basha ka postuar në faqen e tij në Facebook, nga kjo festë e parë e tij si kreu i PD-së, ka një shtrëngim duarsh me ambasadorin Sequi, troket gotën me ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të delegacionit të BE-së, takim që shmanget nga ish-kryeministri Berisha.

***

23 vjet më parë u nënshkrua akti i themelimit të Partisë Demokratike,
hapi i parë i shqiptarëve drejt pluralizmit politik, ashtu siç kërkonin
protestat e studentëve të asaj kohe. Sot në opozitë, Partia Demokratike feston të enjten 23 vitet e themelimit të saj. Ceremonia e zhvilluar në Pallatin e Kongreseve nisi me një dokumentar të shkurtër, që paraqiste momentet kyçe të rrugëtimit politik të demokratëve.

Më pas fjalën e mori kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Basha tha se PD ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet parti e lirisë së madhe, e interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor, ndërsa shprehu mirënjohjen për gjithë emrat që kontribuan në këtë forcë politike ndër vite, një pjesë e të cilëve sot nuk jeton më.

“Kjo është një ditë për të nderuar, kujtuar, reflektuar dhe falënderuar. Ne sot nderojmë themelimin dhe vazhduesit, shikojmë përpara, përshendësim të ardhmen. Jemi familja e madhe e demokratëve që ka bërë historinë transformuese më pozitive dhe që do të vazhdojë ta bëjë këtë. Sot disa pjesëtarë të dashur janë ndarë nga jeta. Nderojmë Azem Hajdarin, themelues dhe drejtues i lartë i PD, deri në çastin kur leninistët na e vranë, kujtojmë Gramoz Pashkon, liberal-demokratin e pashembullt, Pjetër Arbnorin, Mandelan e shqiptarëve, Sokol Olldashin, nismëtar, drejtues, deputet, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur, që na mungon të gjithëve”, tha Basha.

Më tej, kreu i PD-së njohu meritat që sipas tij, i takojnë kësaj force politike në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. “Në këto 23 vjet, PD ka jetuar ditë të bukura dhe të vështira, ka qenë në ballë të ndryshimeve demokratike, ka udhëhequr integrimin e Shqipërisë në BE, duke e bërë anëtare të KiE-së, anëtare të NATO-s, liberalizuam vizat dhe falë reformave tona, sot presim statusin”, tha Basha.

Sigurisht, ditët aktuale të PD janë nuk janë ndër më të mirat, ndaj Basha bëri thirrje për bashkimin, ndoshta kjo një ftesë e tërthortë drejtuar partive të tjera të djathta, sidomos FRD-së së Bamir Topit.

“Sfida jonë e re e përbashkët është për fillimin e ri, për ringritjen, ribashkimin dhe rikthimin si shumicë dhe qeverisjen me energji të reja, ide të reja për Shqipërinë e zhvilluar. Do ta bëjmë, do ta arrijmë! Kjo sfidë ka nisur me perceptimin e ri të misionit tonë në opozitë, opozitë e fortë ballore, pa kauza dhe të mbështetur në fakte, mbrojtëse të demokracisë nga arbitrariteti dhe paligjshmëria. Sfida jonë është hapja e PD drejt brezit të ri dhe me ribashkimin”, tha Basha.

Top Channel