
Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet të një komunikate zyrtare, ka njoftuar se rreth orës 12:20 të së premtes ekipet e ekspertëve nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe i atyre të EULEX-it kanë gjetur rroba dhe eshtra të viktimave të vrara nga lufta e fundit në Kosovë, pas gërmimeve të bëra në në Rashkë të Serbisë.
Rashka është lokalizuar si lokacion ku dyshohet që mund të ketë trupa të viktimave nga periudha e luftës. Këtë e ka konfirmuar edhe udhëheqësi i eksperteve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, gërmimet do të vazhdojnë ende në këtë lokacion, ndërkohë që pritet që të shembet edhe një objekt nën themelet e të cilit dyshohet që ka ende eshtra të viktimave.
Gërmimet kishin filluar në tetor 2013, megjithatë fillimisht ishin ndërprerë, duke rifilluar rishtazi këtë muaj. Shefi i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, Alan Robinson, në tetor ka treguar që në pajtim me palët me interes, hulumtimi do të bëhet në disa faza.
Ai kishte thënë se janë të interesuar për hulumtimin e tri lokacioneve dhe nëse lokacioni i parë nuk jep sukses, atëherë do të kalohet në të dytin, ku gërmimet pritet të nisin në pranverë të 2014-ës.
Gjetjen e eshtrave të personave që dyshohet se janë vrarë gjatë luftës së viteve ’98-99, e ka konfirmuar edhe EULEX-i dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Puna do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme në koordinim me autoritetet serbe”, thuhet në komunikatën e misionit evropian, të lëshuar të premten. Aktualisht në Kosovë mbesin të pagjetur mbi 1700 persona, për të cilët janë bërë disa hulumtime edhe në Serbi.
Top Channel