Viti 2013 ka qenë viti më i rëndë për lirinë e shprehjes, që nga pavarësimi i Maqedonisë.

Me këtë konstatim e ka nisur raportimin e tij për situatën në media, para deputetëve dhe anëtarëve të komisionit parlamentar për sistemin politik, kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani.

Sipas tij, situata do të përkeqësohet edhe më tepër, nëse deputetët mbështesin projektligjin e qeverisë për mediat, që aktualisht ndodhet në procedurë parlamentare.

“Kam përshtypjen se gjatë vitit 2013, vazhdimisht kemi punuar kundër vetes. Gjatë gjithë vitit, jemi përplasur për propozimin e qeverisë lidhur me nevojën për miratimin e legjislacionit për mediat, pa respektuar standardet europiane. Nëse miratohet ky ligj, të jeni të bindur se vitin e ardhshëm, në raportet ndërkombëtare do të ketë edhe më tepër kritika për vendin”, tha Naser Selmani.

Situata e rëndë dhe tejet e politizuar në sferën e medias është pasqyruar më së miri nga vet gazetarët maqedonas, të cilët ishin ftuar në Kuvend, që të raportojnë për gjendjen e mediave. Përveç akuzave në drejtim të pushtetit dhe opozitës, gazetarët, duke mbrojtur pozicione të caktuara partiake, lëshuan akuza të rënda edhe mes njëri-tjetrit.

“Unë, si person që i përkas të majtës, nuk ndiej presion nga e djathta, por nga ata që kanë uzurpuar të majtën dhe veprojnë si ‘Agimi i Artë’ në Maqedoni. Të gjithë ne gazetarëve, që nuk mendojmë si opozita, ata na fyejnë, na etiketojnë dhe ushtrojnë presione mbi ne”, tha Mirka Velinovska, gazetare.

“Vetëm në diktaturë, siç e kemi tani, mundet që të akuzohet opozita për presione. Nëse në të kaluarën, këta që tani janë në opozitë, nuk kanë qenë demokratë të mirë, ky nuk duhet të jetë argument, që pushteti aktual të sillet në këtë mënyrë me median. Me ardhjen e kësaj qeverie, gazetarët më të mirë në vend kanë humbur vendin e punës”, tha Sashe Politiko.

Kritika të forta në drejtim të qeverisë, lidhur me situatën e rëndë në media, kanë adresuar edhe deputetët e opozitës maqedonase, të cilët thanë se asnjë lajm në mediat kryesore të vendit nuk mund të publikohet pa lejen e partisë së kryeministrit Gruevski.

Akuza të tilla u kundërshtuan nga deputetët e mazhorancës, që pretendojnë se disa media, që financohen nga opozita dhe qarqe të caktuara jashtë shtetit, po dëmtojnë interesat shtetërore në përpjekje për ta përmbysur qeverinë aktuale.

Top Channel