Ish-kryeministri grek Jorgos Papandreu, në një artikull të publikuar në
faqen e tij elektronike ka propozuar një përballje racionale të
përdorimit të kanabisit, sipas modelit të Uruguajit, nën mbikëqyrjen e
shtetit.

Papandreu ka përgëzuar presidentin e majtë të Uruguajit, Hose Muhika, i cili sipas tij ka dhënë një shembull të paparë në gjithë botën, të përballimit njerëzor të marihuanës, duke miratuar një ligj që rregullon prodhimin dhe shitjen e kanabisit me kontroll shtetëror.

Nga gushti i kaluar Uruguaji është vendi i parë në botë që lejoi kultivimin dhe shitjen e marihuanës. Ligji lejon që persona mbi 18 vjeç të mund të blejnë deri në 40 gramë marihuanë në muaj nga farmacitë, ose të kultivojnë deri në gjashtë bimë kanabis, por vetëm nëse do të jenë të regjistruar në një listë si përdorues.

Kjo përpjekje është cilësuar si pjesë e një akti për përforcimin e luftës kundër drogës së paligjshme dhe do t’iu lejojë organeve të rendit të kontrollojnë fitimet në favor të shoqërisë dhe jo të kriminelëve, duke reduktuar numrin e qarqeve dhe karteleve të drogës që kanë pllakosur në Amerikën e Jugut.

Papandreu thekson se, pasi në Greqi u dekriminalizua përdorimi i hashashit mbetet të trajtohet me guxim dhe me urtësi kjo çështje, duke i vënë theksin kufizimit të përdorimit të drogës tek të rinjtë, reduktimit të dëmit që shkakton ajo dhe të trafikimit të lëndëve narkotike nga qarqet kriminale, që u sjell atyre fitime kolosale, fuqi të madhe ekonomike dhe pavarësi në aktet e tyre të paligjshme si krimi i organizuar dhe trafikimi i qënieve njerëzore dhe armëve.

Artikulli i Papandreut është pritur në përgjithësi me komente pozitive në rrjetet sociale, por ende nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e organeve të qeverisë Samaras.

Top Channel