Kosova dhe Serbia nënshkruan memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, por nuk arritën marrëveshje për gjykatat në veri, as në raundin e 20-të të dialogut të Brukselit, që sipas kryeministrit Hashim Thaçi “nuk ishte i fundit”.

Pala kosovare konfirmoi fillimisht se nuk ishte arritur marrëveshja, pavarësisht pajtimit se “duhet të ekzistojë një sistem unik drejtësie, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Marrëveshjes së 19 Prillit”, sipas Kryeministrit Thaçi, i cili rikujtoi se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të raportojë ndaj vendeve anëtare për progresin e arritur.

Për kryeministrin Daçiç, “Catherine Ashton që në fillim ka deklaruar se do të dëshironte që institucionet serbe të mos ekzistonin në Kosovë. Duhen respektuar institucionet e Prishtinës, por njëkohësisht duhet respektuar edhe veçantia e Veriut”.

Pala serbe e konsideron të papranueshme përfshirjen e komunave shqiptare në kompetencat e Gjykatës së Mitrovicës.  Grupet e punës do të vijojnë negociatat edhe gjatë fundjavës për të gjetur kompromis për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës, përpara takimit të së martës në Këshill, kur  ministrat e BE-së diskutojnë, mes të tjerash, edhe për datën e nisjes së bisedimeve me Serbinë për anëtarësim.

Për këtë Beogradi kushtëzohet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimi i marrëveshjes së 19 Prillit.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve për arbitrazhin dhe ndërtimin e institucioneve tregojnë qartë se komunitetet e biznesit e mbështesin në tërësi normalizimin e raporteve, siç e parashikon marrëveshja e Prillit”, u shpreh Ashton në deklaratën për shtyp lëshuar menjëherë pas firmosjes nga Safet Gërxhalliu dhe Jelko Sertiç, respektivisht kryetarët e Dhomave të Tregtisë për Kosovën e Serbinë,  me homologun e tyre europian, Arnoldo Abruzini.

Serbia firmosi dhe anëtarësimin, pas dy vjetësh në Agjencinë Europiane të Mbrojtjes, megjithëse pjesëmarrja e saj kushtëzohet për çdo aktivitet nga vendimmarrja e 28 shteteve anëtare.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel