“Operacioni C4” edhe në Sarandë

16/12/2013 00:00

Disiplinimi i vijës bregdetare, prishja e ndërtimeve të paligjshme nga
Vlora deri në Butrint dhe zhvillimi i të gjithë vijës bregdetare ishin
disa prej çështje kryesore të diskutuara nga Kryeministri Edi Rama,
gjatë një takimi në qytetin e Sarandës me drejtues të pushtetit vendor.

“Ne kemi ndërmarrë një aksion që nuk do të ndalet.Pastrimi i bregdetit të Vlorës dhe krijimi i kushteve për zhvilluar një projekt të standardeve më të mira të Mesdheut dhe për ta kthyer Vlorën në një qytet, një portë dinjitoze të Mesdheut për Shqipërinë dhe gjithë rajonin është vetëm një pjesë.Aksioni do të zbresë deri në Butrint. Ne nuk do lemë okupatorë të detit që bëjnë biznes mbi det”, tha Rama.

I shoqëruar në këtë takim nga ministrat Eglantina Gjermeni dhe Bledi Çuçi, Kryeministri u ndal edhe në fondet e parashikuara për pushtetin lokal në buxhetin e vitit 2014.

“Përtej të gjitha shtrëngesave të domosdoshme, buxheti është më i lartë për bashkitë dhe komunat, sesa buxheti elektoral i vitit 2013. Çdo bashki do të ketë më shumë grant të pakushtëzuar, transfertë të pakushtëzuar, se sa kishte në vitin 2013, edhe në bashkitë demokrate edhe në bashkitë socialiste. Çdo komunë do të ketë më shumë se sa kishte në vitin 2013. E di që nuk janë shumë, por ama, do të jetë më shumë se ç’ishte në vitin 2013, vitin elektoral”, theksoi Rama.

Top Channel