Turqi, arrestohen djemtë e tre ministrave

17/12/2013 00:00

Policia turke ka arrestuar djemtë e tre ministrave në kuadër të një
hetimi për dhënie dhe marrje ryshfeti, me qëllim manipulimin e tenderave
publikë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat turke, sipas të cilave bëhet fjalë për fëmijët e ministrit të Brendshëm, atij të Ekonomisë dhe atij të Ambjentit dhe Planifikimit Urban.

Policia ka kryer një seri bastisjesh në Stamboll dhe në tërësi ka arrestuar 18 persona, saktësojnë burime.

Zyrat qendrore në Ankara të bankës shtetërore Halkbank janë kontrolluar gjithashtu. Një zyrtar i bankës thuhet se është arrestuar, bashkë me disa biznesmenë shumë të njohur.

Aksionet e Halkbank ranë me 5 për qind në bursë kur lajmi u publikua në media, por më vonë janë rritur me rreth 2 për qind.

Hasan Rahvali, drejtor ekzekutiv i grupit të ndërtimit “Agaoglu Group”, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se edhe zyrat e kompanisë së tij janë kontrolluar.

Ndërkohë, vetë policia turke nuk ka bërë asnjë koment për lajmin.

Top Channel