Pak orë para ekspozitës kishte dyshime për mbarëvajtjen e saj. Por, pak pas fillimit, në ekspozitë arrin vet kryeministri serb, Ivica Daçiç, i cili tha se është i rëndësishëm dënimi i atyre që kanë kryer krime, më shumë se sa faljet e kërkuara të politikanëve.

Kjo i jep një mesazh të drejtpërdrejtë zërave që ishin kundër mbajtjes së ekspozitës, madje edhe me protesta. Ai, i shoqëruar nga tre artistët; Saranda, Fatosi dhe Jehona Bogujevci; ka parë çdo detaj të historisë së trishtë të kësaj familjeje.

“Kam reaguar, pasi kam marrë informacion se ekzistojnë probleme rreth çeljes së kësaj ekspozite dhe pas pretendimeve se ka ekzistuar një vendim për ndalimin e saj. Unë dhe z. Vuçiç e kemi mbështetur një nismë të tillë, sepse duhet të ekzistojë liria për të dëgjuar fatet e vështira në të gjitha anët, e veçanërisht tragjik ka qenë fati i fëmijëve dhe popullatës civile. Kjo ekspozitë nuk duhet të politizojë e të llogarisë viktimat e tyre apo tonat. Viktimat janë viktima. Unë kam propozuar në Bruksel, që të ngrihen përmendore dhe në pjesën serbe, por edhe shqiptare, për të gjitha viktimat në Kosovë”, tha Ivica Daçiç, kryeministër i Serbisë.

Ekspozita, e cila ishte hapur më parë në Prishtinë e Tiranë, e që flet për masakrën në qytetin e Podujevës në vitin 1999, ku përveç anëtarëve të familjes Bogujevci ishin vrarë edhe ata të familjes Duriçi, është ngjarja e parë, në të cilën marrin pjesë zyrtarë të lartë të Serbisë, e ku viktima janë shqiptarët. Artistët dhe organizatorët e ekspozitës thanë se rrëfimi i kësaj ekspozite tregon një të vërtetë.

“Mendoj se është mjaft e rëndësishme, prandaj kam luftuar për një gjë të tillë. Projekte të tilla ndodhin, por tani është në një institucion shtetëror e për këtë arsye edhe ka shkaktuar reagime”, tha Mia David, udhëheqëse e Qendrës Kulturore, Beograd.

Ekspozita solli edhe një polic dhe mjekun serb, që kanë takuar fillimisht fëmijët e plagosur, që kishin shpëtuar në breshërinë e plumbave me 14 të vdekur. Ata takuan fëmijët e luftës pas shumë vitesh, tashmë të rritur, dhe thanë se u vjen mirë që janë gjallë. Për këtë krim, pesë pjesëtarë të grupit “Shkorpioni” janë dënuar me nga 20 vjet heqje lirie.

Rrëfimi artistik i masakrave serbe
Reagime për ekspozitën e artistëve kosovarë në Beograd

“Bogujevci, një histori vizuale” ka arritur në kryeqytetin serb. Pas
shumë vitesh nga gjykimi i fundit, artistët nga Kosova që jetojnë në
Angli, Saranda, Fatos e Jehona Bogujevci kanë sjellë rrëfimin e tyre për
masakrën që i ka ndodhur kësaj familjeje në vitin 1999.

Vrasjen e 14 viktimave e ka konfirmuar edhe gjyqi serb, por për një pjesë të opinionit ky është provokim shqiptar në qendër të Beogradit. Kërcënimet nuk kanë munguar një ditë para hapjes, por organizatorët duket se janë të bindur.

“Ky është një rrëfim njerëzor dhe mendoj se është mjaft e rëndësishme që të çlirohemi dhe të tregojmë empati ndaj tjetrit. Çdo jetë njeriu, pavarësisht përkatësisë etnike, vlen më shumë se çdo politikë”, deklaroi Mia David, drejtuese e qendrës kulturore.

Artistët nga Kosova ekspozitën ia kanë kushtuar të gjitha viktimave, pa dallim etnie dhe thonë se nuk kanë shkuar për provokim. Ekspozita, që është hapur më parë në Prishtinë e Tiranë, ka bërë përgatitjet e fundit dhe në të pritet të ketë masa sigurie.

“Përmes historisë sonë, ekspozitës së historisë së familjes sonë kemi dashur të tregojmë se cfarë u ka ndodhur shumë familjeve në Kosovë. Por ne nuk jemi të vetmit”, deklaroi Saranda Bogujevci.

Top Channel