Bullgaria me 54 për qind të familjeve që kanë akses në internet, Greqia me 56 për qind dhe Rumania me 58% mbeten në fund të klasifikimit për aksesin në web të vendeve të BE.

Të dhënat i ka publikuar të mërkurën EUROSTAT, sipas të cilave në vendet e para janë Holanda me 95 për qind të familjeve, Luksemburgu me 94 për qind dhe Danimarka e Suedia me nga 93 për qind secila.

Agjencia e statistikave ka saktësuar më tej se 42 për qind e rumunëve, 41 për qind e bullgarëve, 36 për qind e grekëve, 34% e italianëve dhe 32% e qipriotëve dhe polakëve nuk ka përdorur kurrë internet.

Ndërkohë, të dhëna pozitive rezultojnë për Austrinë dhe Slloveninë, që janë mes tetë vendeve të para ku interneti përdoret për të kontaktuar apo vepruar me autoritetet publike, duke bërë publikimin e taksave online, duke kërkuar dokumente personale apo ndihma sociale.

Në Vienë dhe Klagenfurt, 54% e banorëve kanë përdorur kompjuterin përkatës të lidhur me internetin për këto qëllime, një përqindje që zbret në 52% në Slloveninë fqinje.

Sllovenia, me 24%, është edhe vendi ku përdoret më shumë interneti për t’u regjistruar në shkollat e mesme apo universitete. Në vend të dytë është Bullgaria me 23% e ndjekur nga Italia me 21%.

Top Channel