Bashkimi Evropian ka nisur me Malin e Zi negociatat për drejtësinë dhe të drejtat themelore, dy kapituj kyç për procesin e anëtarësimit.

“Bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm të integrimit të Podgoricës. Qeveria malazeze ka treguar angazhim dhe vendosmëri në fushën e reformave dhe kjo duhet të vazhdojë”, ka deklaruar komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Ai ka theksuar se Brukseli pret nga Mali i Zi që “plani i veprimit” për drejtësinë dhe të drejtat themelore të zbatohet në afatet e parashikuara dhe “progreset do të monitorohen nga afër”.

Përveç se në drejtësi dhe të drejtat themelore, nga 35 kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE, Mali i Zi ka hapur të mërkurën edhe atë për tenderat publikë, të drejtën shoqërore, politikën industriale dhe atë sipërmarrëse.

“Janë të gjithë kapituj të lidhur me biznesin dhe që përgatisin operatorët për integrimin në tregun unik evropian”, ka shtuar komisioneri për Zgjerimin.

Por pavarësisht vlerësimeve të BE, në Mal të Zi vazhdojnë të jenë të pranishëm në nivele shqetësuese korrupsioni dhe krimi i organizuar, njësoj si në vendet e tjera të Ballkanit që penalizohen nga Unioni.

Gjithashtu, krimi i organizuar malazez është i shtrirë gjerësisht në vendet perëndimore, kryesisht në Gjermani, Zvicër e Austri, ku janë të pranishme komunitetet më të mëdha të emigrantëve malazezë. 

Top Channel