Qeveria e Maqedonisë ka marrë në shqyrtim peticionin e qytarëve të Dibrës kundër ndërtimit të hidrocenralit në Fushën e Llukovës, projekt ky me të cilin parashikohet devijimi i rrjedhës normale të lumit Radika.

Zëdhënësi i qeveritsë, Muhamet Hoxha ka prezantuar të mërkurën qëndrimin e Ministrisë së Ambientit dhe asaj të Ekonomisë, që kundërshtojnë devijimin e ujërave të lumit Radika për shkak të efekteve negative.

“Dua të theksoj se qëndrimi i Ministrisë së Ambientit dhe Planinifikimit Hapsinor dhe Ministrisë së Ekonomisë, si dy dikasterë që janë më kompetentë për këtë rast, është se nuk do të lejojmë cënimin e lumit Radika. Njëkohësisht nuk do të lejojmë devijimin e ujërave nga pellgu i Drinit të Zi në pellgun e lumit Vardar”, ka deklaruar Hoxha.

“Kjo do të ndodhë sepse është i ndaluar devijimi i ujërave kur konstatohet se ka efekte negative ndaj diversitetit dhe ekosistemit. Përveç kësaj, ndryshimi i rrjedhës do të ndikonte negativisht edhe në aspektin socio-ekonomik të rajonit të Dibrës”, ka sqaruar ai.

Iniciativa për realizimin e hidrocentralit energjitik në Fushën e Llukovës është e kompanisë shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike ‘Elem’. Përfaqësuesit e saj kanë sqaruar se projekti është në fazën fillestare, ndërsa hidrocentrali do të ndërtohet sipas standardeve të duhura ekologjike dhe në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare për ujërat.

Me ndërtimin e këtij hidrocentarli Maqeodnia do të zvogëlojë varëshmërinë nga importi i energjisë elektrike. Dibranët e kundërshtojnë këtë projekt, pasi me të i ndryshohet drejtimi dhe merret një sasi e konsiderueshme e ujit nga Lumi Radika, që ka rrjedhë natyrore nëpër Dibër dhe kalon në Shqipëri.

Top Channel