“Reforma të thella shtet-ndërtuese”

18/12/2013 00:00

Kur bëhet fjalë për të ardhmen e integrimit europian dhe, i bindur se fati i Shqipërisë është Europa, kryeministri Edi Rama nuk e sheh gotën gjysmë bosh, edhe pse disa vende anëtare imponuan shtyrjen e vendimmarrjes për në qershor.

“Vendimi i djeshëm, për marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor, padyshim që nuk ishte vendimi më i mirë, që familja europiane mund të merrte për vendin tonë. Por, me siguri, as për rajonin nuk ishte vendimi më i mirë. Lejomëni të jem shumë i qartë me ju, sot. Ky vendim, vetëm sa e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella shtet-ndërtuese dhe ndryshime rrënjësore e cilësore në çdo fushë, në mënyrë që gjithkush në Shqipëri të prekë, vijimësisht, rezultate të reja të mirëqeverisjes sonë, në të mirë të vendit dhe të çdo qytetari”, u shpreh Edi Rama.

Po kush është përgjegjës për mosmarrjen e statusit? Edi Rama i cilëson qesharake deklaratat e opozitës, që e bëjnë atë përgjegjësin e vetëm. Kryeministri ka një argument tjetër për shqiptarët.

“Le të jetë e qartë për të gjithë në këtë moment. Ajo çka kemi ndjerë e dëgjuar në këta muaj, nga pjesa më hezituese e vendeve anëtare, na e kanë shprehur qysh në fillim, dhe vijimësisht, nevojën e tyre për më shumë kohë për të vendosur për statusin, ngaqë – siç thonë, – e kanë ende shumë të freskët në kujtesë, qeverisjen e shkuar të ligjeve të shumta dhe të vullnetit të paktë, sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. E megjithatë, në kohën fare të paktë që patëm në dispozicion, ne u dhamë edhe më hezituesve, përmes jetës së re parlamentare dhe mirëqeverisjes, provat që Shqipëria e pas 23 qershorit meritonte mbrëmë, më shumë se ç’mori prej tyre”, theksoi kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama nuk hezitoi të bëjë pjesë të analizës së tij edhe ndikimin negativ në këtë vendim, të pjesës ekstremiste kundër zgjerimit të Bashkimit Europian.

“Prandaj, nuk mundem të mos shpreh edhe keqardhjen, që procesi historik i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe fati europian i vendeve në proces, siç është edhe vendi ynë, të ndërlikohet nga rrethana të brendshme politike, apo vigjilje elektorale vendesh anëtare ku, nën ndikimin negativ të forcave ekstremiste, problemet me ekonominë, emigracionin, apo papunësinë, kthehen artificialisht në pengesë e politikës europiane të zgjerimit, që është suksesi më i madh në historinë e transformimit të kontinentit europian”, deklaroi më tej Rama.

Megjithatë, si për të treguar se integrimi është prioritet kombëtar, kryeministri Edi Rama zgjodhi sloganet elektorale të tre partive kryesore të qeverisë dhe të opozitës, për të siguruar qytetarët se Shqipëria do të përmbushë me seriozitet çdo gjë që është në dorën e saj.

“Të vazhdojmë të punojmë me ndershmëri e përkushtim të plotë, për ta rilindur vendin tonë dhe për ta ngritur atë në lartësinë e duhur, në sytë e botës. Të vazhdojmë të ecim më shpejt, në rrugën që kemi nisur, për të vendosur rendin ligjor dhe rilindur ekonominë kombëtare e familjare të shqiptarëve. Të vazhdojmë të ndryshojmë cilësisht kulturën politike qeverisëse, për ta vënë shtetin në shërbim të qytetarëve dhe qeverisjen në shërbim të zgjedhësve. Të bëjmë gjithçka mundemi, që askush të mos mund të ketë më asnjë alibi, për të penguar kandidaturën, dhe më tutje anëtarësimin, e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe që gjithkush këtu, në Shqipëri, të mund ta jetojë realitetin e ndryshuar prej zotimeve tona të mbajtura”, përfundoi Edi Rama.

Top Channel