Kina zhyt Bitcoin

18/12/2013 00:00

Bitcoin-i, paraja e blerjeve në internet, është zhytur në shkëmbimet tregtare, ku humbi më shumë se gjysmën e vlerës për shkak të veprimeve të Pekinit dhe ndërhyrjes së tij me qëllim kufizimin e tregtimit me monedhën virtuale.

“BTC China” pohoi se janë bllokuar kompani lokale pagesash, çka e privon nga shërbimet e tyre të drejtpërdrejta. Në këtë mënyrë, bursa më e madhe e Bitcoin-it në botë nuk pranon dot më depozita me bazë juanin.

Çmimet ranë në pikiatë pas lajmit dhe një Bitcoin u shkëmbye me 2,560 juanë kinezë, apo 421 dollarë amerikanë, kur në fund të nëntorit këmbehej me 1,250 dollarë.

Bitcoin-it i referohen shpesh si një lloj të ri monedhe, por më shumë se sa si parà fizike, duhet menduar si diçka virtuale.
Ashtu si të gjitha monedhat e tjera, vlera e saj përcaktohet nga numri i njerëzve që duan të shkëmbejnë. Aktualisht, në qarkullim janë 11 milionë Bitcoin-e.

Monedha elektronike u krijua në 2009-n nga një person anonim, i njohur me pseudonimin japonez Satoshi Nakamoto. Ajo ka të gjitha karakteristikat e një monedhe virtuale, por dallohet nga konkurrentët e tjerë prej dy tiparesh:

Mund të përdoret për të blerë mallra reale, që nga softuerët e deri te makinat; nuk emetohet nga ndonjë bankë apo autoritet i posaçëm, çka do të thotë se kujt i duhet mund ta përdorë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në çdo vend të botës, pa kaluar përmes ndërmjetësve.

Duke qenë se nuk ka asnjë adresë të regjistruar, njerëzit mund t’i përdorin këto parà për të mbrojtur anonimatin e tyre kur kryejnë një transaksion. Shkëmbimet me monedha virtuale nuk janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kinës.

Ekspertët mendojnë se kufizimet e Pekinit i detyrohen frikës së qeverisë, se vendasit po e përdornin Bitcoin-in si mënyrë për të shmangur kontrollet monetare e për t’i nxjerrë kursimet e tyre jashtë kufijve.

Top Channel