Kryeministri serb Ivica Daçiç është shprehur i bindur se Serbia do të hyjë në BE më shpejt se çdo vend tjetër anëtar, duke nënvizuar gjithësesi se shpejtësia e ecurisë së negociatave të anëtarësimit do të varet nga angazhimi dhe serioziteti i Beogradit.

“Jam më se i bindur se do të bëhemi anëtarë të Unionit më shpejt se kushdo tjetër. Negociatat më të shpejta me Brukselin i ka bërë Sllovakia, me një periudhë 5-6-vjeçare dhe Serbia është në gjendje të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Daçiç.

Ai është shprehur se, ajo që për dekada ka qenë vetëm një ëndërr tani ka filluar të bëhet realitet, për të cilin qeveria serbe jo vetëm i ka hapur dyert Evropës, por ka hedhur dhe një hap brenda saj.

Deklarata e Daçiç ka ardhur një ditë pasi Brukseli dha dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë për janarin e ardhshëm, sipas të gjitha gjasave më 21.

“Kemi mbajtur premtimet”, ka thënë më tej kryeministri, i cili ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij, në veçanti zëvendësin Aleksandar Vuçiç, por edhe Catherine Ashton për ndërmjetësimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Kishte kohë që një ndërmjetës ndërkombëtar nuk mbante një qëndrim kaq objektiv kundrejt Serbisë”, ka shtuar kryeministri serb, dikur zëdhënës i Sllobodan Millosheviç.

Top Channel