Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka akuzuar drejtpërdrejtë partinë e Ali Ahmetit, BDI, si partnere e koalicionit qeveritar në Maqedoni, për vendosjen e përmendores së Car Dushanit në qendër të Shkupit.

Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu këto akuza i bëri në Komitetin për marrëdhënie mes bashkësive etnike në Parlament, pasi deputetët e mazhorancës përfshirë ata të BDI-së, paraprakisht kundërshtuan kërkesën e PDSH-së që të diskutohej për vendosjen e monumentit të sundimtarit serb në kryeqytetin maqedonas.

“Nëse mendoni se me cirkun që organizuat keni kryer punën dhe keni mashtruar shqiptarët, atëherë gaboni rëndë. Car Dushani është aty. Nga ai cirk që doli atë natë në shesh dhe nga ai cirk që pamë sot doli e vërteta: Carin na e solli BDI-ja”, deklaroi Fazliu duke iu drejtuar kryetares së komitetit, Ermira Mehmeti.

Më tej, deputetët opozitarë të PDSH-së thanë se, Komititeti për marrëdhënie mes bashkësieve etnike ka humbur kuptimin pasi në të nuk debatohet për problemet reale të shqiptarëve.

Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti, që drejton komitetin, nuk iu përgjigj akuzave të PDSH-së, pasi siç tha ajo, replikat nuk ndihmojnë për të dalë nga situata të caktuara.

“Tendenca e qëllimshme për të diskredituar jo komitetin por kryetaren e komitetit nuk flet keq për mua, por flet për një ditë jo të mirë për ju personalisht. Ju mund të vazhdoni ta bëni këtë, por mos mendoni se do të arrini ndonjë efekt”, deklaroi Mehmeti.

Ndërkohë që debatet për përmendoren e Car Dushanit vazhdojnë, në Maqedoni ende asnjë institucion nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për vendosjen e këtij monumenti.

Top Channel