Policia maqedonase ka penguar një grup të vogël qytetarësh shqiptarë për të mbajtur një protestë para përmendores së Car Dushanit në sheshin e Shkupit.

Pas thirrjeve nëpër rrjetet sociale për një marsh protestues kundër vendosjes së monumentit të sundimtarit serb, forca të shumta policore mesditën e së premtes kanë rrethuar qendrën e Shkupit.

Ata pak qytetarë që i janë përgjigjur thirrjeve për protesta nuk kanë mundur të kalojnë barikadën e policisë për të shprehur revoltën e tyre para busitit që shkaktoi shumë polemika në Maqedoni.

“Kjo protestë, vëllezër, do të jetë e mirë edhe për maqedonasit. Nuk mundet që Ali Ahmeti të lejojë këtu përmendoren e Car Dushanit, le ta dërgoje atë në Kërçovë”, ka thënë një protestues.

Edhe përkundër reagimeve të shumta dhe tentativave për ta rrënuar, busti i Car Dushanit ende qëndron në qendër të Shkupit, ndërsa përgjegjësinë për vendosjen e tij nuk e ka marrë asnjë institucion shtetëror.

Ndërkohë, në kuadër të komunës Qendër në Shkup është formuar një komision që po heton rrethanat në të cilat është vendosur monumenti i sunduesit, pa leje nga komuna.

Kreu i komunës Qendër, Andrej Zhernovski ka thënë se përmendorja është ilegale dhe ka paralajmëruar largimin e saj nga sheshi i kryeqytetit.

Top Channel