Rusi, lirohet pjesëtarja e Pussy Riot

23/12/2013 00:00

Maria Alyokhina, pjesëtare e grupit Pussy Riot, është liruar nga burgu pas një amnistie të qeverisë ruse. Pritet që gjatë ditës të lirohet edhe Nadezhda Tolokonnikova, pjesëtarja tjetër e kësaj bande muzikore.

Alyokhina dhe Tolokonnikova ishin arrestuar në gusht të vitit 2012 për “huliganizëm” pasi kënduan në formë proteste në kishën kryesore të Moskës. Dënimi i të rejave bëri që të lindnin polemika mes qeverisë dhe aktivistëve anti-Putin.

Dënimi i vajzave përfundonte në mars të vitit 2014, por një amnisti nga qeveria ruse i shkurtoi dënimin. Nga kjo amnisti kanë përfituar rreth 20 mijë të dënuar, përfshirë invalidë, minorenë, veteranë apo gra shtatzëna.

Pas lirimit, Alyokhina tha se kjo është një lëvizje e qeverisë për t’u dukur mirë dhe se preferonte të qëndronte në burg: “Nuk mendoj se amnistia është një akt humanitar. Nëse do të mund të zgjidhja, do të vazhdoja të qëndroja brenda.”

Kjo amnisti shihet si një përpjekje për të shmangur kritikat që po mbulojnë Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në muajin shkurt, në Soçi.

Top Channel