Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov nuk mund të llogarisë në mbështetjen e BDI-së, partisë shqiptare në qeveri, nëse rikandidohet edhe për një mandat nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski në zgjedhjet presidenciale të pranverës.

BDI, si parti e vetme shqiptare, që në vitin 2009 mbështeti Ivanov për president të Maqedonisë, është shprehur e zhgënjyer nga puna e tij katërvjeçare.

“Ky president në ikje nuk e ka arsyetuar mbështetjen nga votuesit shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Ka ardhur koha që Maqedonia të ketë një president konsensual”, ka deklaruar Nexhat Jakupi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.

Këtë qëndërim partia e Ali Ahmetit, BDI, e ka shpalosur menjëherë pas fjalimit të fundit vjetor të presindetit Gjorgje Ivanov para Parlamentit, që u bojkotua nga deputetët e partive opozitare shqiptare, PDSH dhe RDK.

Edhe opozita maqedonase u shpreh e pakënaqur nga puna e Ivanov, të cilin e quajti “vegël të kryeministrit” Gruevski. Ivanov u vlerësua vetëm nga partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE. Megjithatë, nga kjo parti nuk treguan nëse do ta rikandidojnë atë edhe për një mandat presidencial.

“Kur të nisin konventat zgjedhore në të gjitha partitë politike do të sjellim edhe ne vendimin lidhur me kandidatin presidencial. Kjo varet nga shumë faktorë dhe vlerësoj se është ende herët të flasim për këtë gjë”, ka thënë deputeti Antonio Milloshovski.

Në fjalimin e tij të fundit para deputetëve, presidenti Gjorgje Ivanov është fokusuar më së shumti në problemin bilateral me Greqinë, atë të emrit. Në planin e brendshëm, Ivanov mes tjerash theksoi edhe nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Top Channel