Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanoviç, gjykon se vendi i tij ka regjistruar rezultate të shkëlqyera në rrugën për integrimin euroatlantik, ndërsa pranoi papunësinë si problemin më të madh të fqinjëve tanë veriorë.

Përgjigjet e Djukanoviç u dhanë ndërsa ai iu përgjigj në seancë plenare pyetjeve që ligjvënësit kishin depozituar për kryeministrin, ndërsa u bë analiza e të gjithë vitit të lënë pas.

Hapja e pesë kapitujve të rinj në negociatat për anëtarësim për në Bashkimin Europian, si dhe reformat e bëra për anëtarësimin në NATO u konsideruan si “gjithpërfshirëse dhe tepër të rëndësishme” nga ana e Djukanoviç.

“Jemi në prag të anëtarësimit në aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake të botës, ndërsa po hedhim hapa të rëndësishëm edhe drejt integrimit europian”, shtoi kryeministri.

Megjithatë, tabloja “jo kaq optimiste” në fushën ekonomike u pranua edhe prej Djukanoviç. i pyetur nga socialistët në opozitë se ku janë 40 mijë vendet e punës së premtuara në fushatë, kryeministri tha: “Papunësia është problemi më i madh i shoqërisë sonë dhe qeveria është e angazhuar, duke e vendosur zgjidhjen e këtij problemi si një përparësi absolute”.

Në fjalën e tij, Djukanoviç lavdëroi punën e qeverisë edhe në grumbullimin e 110 milionë eurove më shumë nga taksat dhe doganat, krahasuar me një vit më parë.

Top Channel