Masakra etnike në Sudanin e Jugut

24/12/2013 00:00

Detaje të reja po dalin në dritë për masakra etnike të kryera gjatë më shumë se një javë dhunë në Sudanin e Jugut.

Një reporter nga kryeqyteti Juba citoi një dëshmitar të thoshte se mbi 200 persona, shumica e të cilëve të përkatësisë etnike Nuer, u qëlluan me armë zjarri nga forcat e sigurisë.

Ndërsa një person tjetër, po nga Juba, tha se persona të armatosur të etnisë Dinka hapën zjarr ndaj lagjeve me banorë Nuer që nuk flisnin gjuhën e tyre. Nga ana e saj, qeveria e Sudanit të Jugut ka mohuar që sulmet e dhunshme të kenë prapavijë etnike.

Të dhënat vijnë teksa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit për të dërguar 5500 trupa shtesë për të ndihmuar 7 mijë që janë aktualisht të pranishme në vendin afrikan.

Rebelët që mbështesin ish-nënpresidentin e rrëzuar Riek Machar kanë marrë nën kontroll shumicën e qyteteve gjatë javës së kaluar. Disa dhjetëra mijëra persona janë larguar për shkak të luftimeve.

Gazetarja në Juba, Hannah McNeish tha për BBC se kishte intervistuar një person të quajtur Simon, i cili ishte qëlluar katër herë por kishte arritur t’i mbijetonte vrasjes në masë.

“Ai tregon se u rrethua bashkë me rreth 250 persona të tjerë, u dërguan në një stacion policie në periferi të Jubës, ku kaluan një përvojë të hidhur për dy ditë, gjatë të cilave trupa qëllonin nga jashtë dhomës, duke vrarë 12 persona”, tregon Hannah McNeish.

SHBA, 150 marinsa në Sudanin Jugor

Rreth 150 marinsa amerikanë janë të
gatshëm të futen në Sudanin Jugor të përfshirë nga trazirat, në
përpjekje për të ndihmuar amerikanët që gjenden në shtetin afrikan dhe
për t’i ofruar siguri Ambasadës amerikane atje, bënë të ditur 2 zyrtarë
ushtarakë amerikanë, gjatë së hënës.

Ushtarët janë duke u transferuar nga Spanja drejt Afrikës, me shumë mundësi drejt shtetit të Xhibutit, shtuan më tej zyrtarët. Rreth 100 shtetas amerikanë besohen të jenë aktualisht në Sudanin Jugor, ku dhuna e përgjakshme e kohëve të fundit po shton frikën e një lufte civile në shtetin më të ri të botës.

“Me zhvendosjen e këtyre forcave atje, do të kemi mundësi t’u përgjigjemi më shpejt krizës në rajon, nëse do të jetë e nevojshme”, lexohej në një deklaratë nga Komanda amerikane në Afrikë.

Aty citohej shembulli i Bengazit, ku një sulm i vitit të kaluar vrau ambasadorin amerikan Christopher Stevens, si dhe 3 amerikanë të tjerë.

“Një nga mësimet e nxjerra prej ngjarjes tragjike në Bengazi ishte nevoja për të qenë më të qëndrueshëm, në mënyrë që t’u përgjigjemi menjëherë zhvillimeve dhe situatave të krizës, nëse do të jetë e nevojshme. Këto lëvizje parandaluese do të na lejojnë të bëjmë pikërisht këtë gjë”, lexohej në deklaratë.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, 380 amerikanë dhe rreth 300 shtetas të kombësive të tjera, nga vendet e treta, janë evakuuar.

Obama: Sudani Jugor po shkon drejt greminës

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha gjatë së enjtes se Sudani Jugor gjendet buzë gremine, teksa përplasjet vdekjeprurëse janë përhapur në të gjithë vendin, i cili shënon edhe shtetin më të ri të Afrikës dhe të botës.

Ai foli në të njëjtën ditë, kur zyrtarë qeveritarë thanë se rebelët kishin pushtuar qytetin e Bor-it, i cili ndodhej rreth 200 km në veri të kryeqytetit Juba, pasi ishte bombarduar rëndshëm më parë, ku është përdorur edhe artileria e rëndë.

“Në 2011-n, miliona qytetarë të Sudanit Jugor votuan për krijimin e një kombi të ri, të themeluar mbi premtimet e një të ardhmeje më paqësore dhe më të begatë për të gjithë popullin e Sudanit Jugor”, tha Obama në një deklaratë të tij.

“Gjatë viteve të fundit, kundër çdo parashikimi, Sudani Jugor ka bërë progres të madh drejt thyerjes së ciklit të dhunës, që ka karakterizuar një pjesë të madhe të historisë së këtij vendi. Por, sot, ajo e ardhme është në rrezik. Sudani Jugor ndodhet buzë greminës. Luftimet e fundit kërcënojnë të kthejnë Sudanin Jugor në ditët e errëta të së kaluarës”, shtonte më tej presidenti.

Top Channel