Deputetët e opozitës maqedonase, me një minutë heshtje dhe me kurriz të kthyer nga kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski kanë përkujtuar 1-vjetorin e ngjarjeve të dhunshme në Kuvend.

Të veshur me bluza të bardha me mbishkrimin ‘Liri dhe ‘Regjim’, deputetët opozitarë ftuan kryeparlamentarin Veljanovski t’i kërkojë falje opinionit për dëbimin e dhunshëm  të deputetëve dhe gazetarëve nga Kuvendit, një vit më parë.

Igor Ivanovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së tha: “Sot bëhet një vit nga dita kur qeveria e VMRO-DPMNE-së vendosi ta shkelë Kushtetutën e Maqedonisë dhe Ligjin për Kuvendin. Për fat të keq, një vit pas dëbimit të deputetëve dhe gazetarëve nga Kuvendi, askush nuk mbart përgjegjësi politike, as porositësi Nikolla Gruevski, as ai që kreu këtë aksion Trajko Veljanovski”.

Propozimi i opozitës u refuzuar nga kreu i Parlamentit, ndërsa deputetja e mazhorancës, Silvana Boneva, tha se ngjarjet e dhunshme të vitit të kaluar u nxitën nga deputetët e opozitës.

“Një minutë heshtje nevojitet për turpin që ju të nderuar kolegë të opozitës  i shkaktuat demokracisë parlamentare në Maqedoni një vit më parë, duke i keqtrajtuar kolegët e mazhorancës dhe duke i penguar ata të kryejnë punën e tyre”, akuzoi Silvana Boneva, koordinatore e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve. Kreu i saj Naser Selmani, shpehu keqardhje që një vit pas ngjarjeve të dhunshme ende nuk janë identifikuar fajtorët për dëbimin e gazetarëve nga Kuvendi.

“Vlerësojmë se përcaktimi i përgjegjësisë konkrete, do të parandalojë që në të ardhmen të shkelet Kushtetuta dhe të shtohet besimi i qytetarëve në rendin kushtetues”, komentoi Selmani.

Më 24 dhjetor të vitit të kaluar, sigurimi i Kuvendit dëboi gazetarët që po ndiqnin seancën plenare dhe deputetët e opozitës, të cilët kontestonin buxhetin shtetëror dhe tentuan të kundërshtojnë miratimin e tij duke bllokuar foltoren e Kuvedit.

Top Channel