Dorëhiqen ministrat turq

25/12/2013 00:00

Tre ministrat turq, i Mjedisit, i Ekonomisë dhe ai i Brendshëm dhanë dorëheqjen pas arrestimit të tre djemve të tyre të akuzuar për korrupsion.

Erdoan Bajraktar, Zafer Caglajan dhe Mohamed Gyler mohuan cdo keqbërje, ndërsa policia po heton akuzat për transferim të paligjshëm parash në Iran dhe rryshfete për projekte ndërtimesh.

Të tre ministrat janë shfaqur në krah të Erdoanit të martën në mbrëmje përpara një grupi përkrahësish në aeroportin Esenboga në Ankara pas kthimit të tij nga Pakistani.

Gjatë një interviste telefonike për televizionin NTV, Ministri i Mjedisit, Erdoan Bajraktar tregoi se ishte vënë nën presion nga kryeministri për të paraqitur dorëheqjen. Ai këmbënguli se “një pjesë e mirë e projekteve të ndërtimit që po hetohen ishin miratuar nga vetë kryeministri dhe për ketë arsye Rexhep Taip Erdoan duhet të jepte dorëheqjen”.

Djemtë e Ministrit të Ekonomisë, Caglajan dhe atij të Brendshëm Gyler bashkë me drejtorin ekzekutiv të Bankës Shtetërore “HalkBank” janë mes 24 të arrestuarve, të akuzuar për rryshfete. Djali i Bajraktar u arrestua në kuadër të hetimeve, por më pas u la i lirë.

Media turke raportoi se policia turke sekuestroi 4.5 milionë dollarë të thata, që u gjetën në kuti këpucësh në shtëpinë e Drejtorit Ekzekutiv të Bankës, ndërsa më shumë se 1 milionë dollarë u gjetën në shtëpinë e djalit të Gylerit, Baris.

Erdoan e cilësoi këtë hetim për korrupsionin si një “komplot nga forcat e huaja dhe atyre vendase për të diskredituar qeverinë e tij përpara zgjedhjeve lokale të muajit Mars”.

“Partia AK nuk do të tolerojë korrupsionin. Nëse do ta bënte atëherë do të harronte qëllimin  e ekzistencës”, tha ai.

Për analistët cfarë po ndodh në Turqi është një “luftë pushteti” mes qeverisë së Erdoanit dhe imamit të njohur Fethullah Gylen, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara, i cili ka shumë përkrahës në radhët e policisë dhe gjyqësorit.

Top Channel