Qindra grekë të varfër, të urritur dhe të vetmuar kanë marrë një vakt të nxehtë në një gjimnaz në Athinë ditën e Krishtlindjeve, dhuruar nga bashkia.

Janë disa prej mijëra të pastrehëve të kryeqytetit grek, numri i të cilëve sa vjen e rritet si pasojë e krizës ekonomike që ka gjunjëzuar vendin.

“Po, situata është duke u përkeqësuar. Po ju jap një shembull: ne dhuronim 1.200 vakte në ditë, tani jemi duke dhënë nga 1.400 dhe po përgatitemi për dhënien e 1.500 vakteve në ditë”, tha Nikos Kokinos, kreu i Shërbimeve Sociale të Athinës, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Në Greqi, Dita e Krishtlindjeve kalohet tradicionalisht me familjen, por shumë prej të pastrehëve nuk kanë familje dhe kjo është dita më e vetmuar e vitit për ta. Sipas statistikave të fundit, varfëria në gjithë vendin është rritur më shumë se 20%.

“Është vetmia që më sjell këtu, sepse unë jam i vetmuar, por edhe sepse nuk jam në gjendje ekonomike për t’ia dalë mbanë. Dhe kështu që detyrohem të vij këtu për të ngrënë, që të paktën të mos vdes nga uria”, u shpreh një i pastrehë që u identifikua me emrin Angjelos.

Në qytetin e Patrës një 75-vjeçar që jetonte i vetëm në një shtëpi të rrënuar u gjet i vdekur mëngjesin e Krishtlindjeve. Në Selanik ka disa ditë që u inaugurua shtëpia e të pastrehëve, një përpjekje e organizatave joqeveritare, bashkisë dhe kishës për t’u kujdesur për të varfërit dhe të pastrehët.

Qeveria greke ende nuk jep një shifër të saktë për numrin e të pastrehëve në të gjithë vendin, ndërsa vlerësohet se vetëm në kryeqytetin grek janë më shumë se 25.000 persona dhe se në të gjithë vendin numri i tyre sa vjen e rritet.

Top Channel