Gjuha shqipe nuk ka gjetur vend në tabelat e reja orientuese që janë vendosur në kuadër të projektit për modernizimin dhe rindërtimin e vend-kalimit kufitar Bllacë që lidhë Maqedoninë me Kosovën.

Në këtë pikë kufitare që më së shumti shfrytëzohet nga shqiptarët e këtyre dy vendeve, në tabelat orientuese është përdorur vetëm gjuha maqedonase dhe ajo angleze. Pas përurimit të pjesës së rindërtuar të vendkalimit kufitar ‘Bllacë’, Drejtori i Doganave të Maqedonisë Vanço Kargov, premtoi se në të ardhmen do të vendosen tabela edhe në gjuhën shqipe, por nuk tregoi pse kjo gjë nuk ka ndodh me kohë.

“Aty ku kemi arritur kemi përdorur gjuhën shqipe, por do t’i bëjmë edhe tabelat tjera në shqip. Nuk kemi arritur t’i bëjmë ende të gjitha, por siç mund të shihni në disa vende veçmas është përdorur gjuha shqipe. Ja ku i keni tabelat informuese!”, thotë Vanço Kargov, Drejtori i Doganave të Maqedonisë.

Edhe pse të pranishëm në përurimin e rindërtimit të kësaj pike kufitare, zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Shkupit, kanë heshtur shpërfilljen e shqipes në tabelat orientuese nga ana e Doganave të Maqedonisë.

Në aspektin e kontrollit dhe shmangjes së radhëve të gjata, rindërtimi i kësaj pike kufitare sipas kryeshefes së policës maqedonase ka rëndësi të madhe për të dy vendet.

“Modernizimi i kësaj pike kufitare do të ndikojë në rritjen e cilësisë së kontrollit gjatë lëvizjes në këtë vendkalim. Kjo është në interes të qytetarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, po edhe të gjithë qytetarëve të vendeve të ndryshme që do të shfrytëzojnë këtë vendkalim kufitar në të ardhmen”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendëshme.

Projekti për rindërtimin e vendkalimit kufitar ‘Bllacë’ është ndihmuar nga Banka Botërore dhe ka kushtuar rreth 1 milion e 800 mijë euro.

Top Channel