Liderët partive shqiptare në Maqedoni kanë dalë me vlerësime krejtësisht të ndryshme për vitin që po lëmë pas.

Ata dallojnë edhe në parashikimet për vitin 2014. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti si partner i koalicionit qeveritar, tha se viti i ardhshëm është shumë i rëndësishëm për vendin, ndërsa viti 2013 ka qenë i suksesshëm për partinë e tij dhe shqiptarët.

Ai përmendi fitoren e BDI-së në komunën e Kërçovës si një ngjarje shumë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë.

“Vitin që po hyjmë është një vit që do të zhvillohen ngjarje të rëndësishme. Unë pres aktivitet shumë më të dendur, shumë më të shtuar nga të gjithë aleatët dhe miqtë tanë në drejtim të kapjes së hapit të duhur që ne të mos e humbim dhe të mos vonohemi drejt integrimit në NATO dhe BE”, deklaroi zoti Ahmeti, lideri i BDI-së.

Nga ana tjetër, për partinë opozitare të Menduh Thaçit, PDSH, viti 2013 ishte viti i dështimeve të mëdha.

“ Të gjithë kanë dëshira dhe shpresa, por ne dallojmë, sepse përveç dëshirës dhe shpresës, ne edhe punojmë që të bëhet më mirë. Nuk e kemi ndërmend as si parti e as si popull të dorëzohemi para këtyre të këqijave dhe para këtij viti shumë të keq që kaluam. Mendoj se vitet që vijnë do të jenë vitet e mundimshme, por që do të na garantojnë sukses të gjithë neve së bashku”, vlerësoi Thaçi.

Lideri i forcës së tretë të shqiptarëve RDK, Rufi Osmani, e ka cilësuar vitin 2013  si vit të sfidave të shumta, problemeve në rritje, rezultateve të munguara dhe rritjes së paperspektivës në vend dhe rajon.

Top Channel