Goditjet e ekonomisë për vitin 2013

04/01/2014 00:00

Të dhënat më të fundit zyrtare sinjalizojnë se  tre-mujori i tretë i vitit të kaluar mund ta ketë zhytur ekonominë sërish në zonë negative, për herë të tretë që nga fillimi i krizës.

Instituti i Statistikave raportoi se të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë kanë shënuar gjatë këtij tre-mujori rënië të fortë të prodhimit.

Sipas INSTAT, rënien më të madhe e ka industria dhe ndërtimi, ku xhiro ekonomike e zhveshur nga efekti i cmimeve u tkurr përkatësisht me 10.8 dhe 11.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Por me rënie është edhe turizmi, sektori i cili për shkak të sezonalitetit, jo vetëm që ka ndikimin kryesor në rritjen ekonomike të kësaj periudhe, por përcakton edhe ecurinë e degëve të tjera, që lidhen me të si bujqësia apo edhe shërbimet.

Sipas INSTAT, në tre-mujorin e tretë dega e hoteleve u tkurr me 4.5 për qind, duke shtuar edhe më shumë pesimizmin. Statistikat afat-shkurtra mbulojnë gjashtë sektorë, të cilët përbëjnë dhe pjesën dërrmuese të ekonomisë kombëtare, si industria, ndërtimi, sektori i hoteleve, transporti dhe komunikacioni.

Në total rënia e tyre për tre-mujorin e tretë është 4.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Jashtë këtij treguesi mbetet bujqësia dhe disa shërbime, si arsimi apo shëndetësia, por ka pak gjasa që ato të përmbysin trendin e përgjithshëm negativ.

Për gjashtë muajt e parë të 2013-ës prodhimi kombëtar u rrit me 1.44 për qind me bazë vjetore.

INSTAT pritet që javën e ardhshme të publikojë treguesin zyrtar edhe për tre-mujorin të tretë. Nëse shifra do të konfirmohet negative, gjasat janë që për 2013-ën, rritja ekonomike e vendit të ketë zbritur në nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit, përvec vitit 1997.

Top Channel