Në Maqedoni po artikulohen emrat e parë si kandidatë të mundshëm për postin e presidentit dhe Rilindja Demokratike Kombëtare ka kërkuar që kandidati shqiptar të jetë konsensual.

Rufi Osmani i ka bërë thirrje dy partive më të mëdha shqiptare, BDI dhe PDSH, që pavarësisht ndarjeve, për këtë cështje duhet të bëhen bashkë dhe të dalin me një emër.

RDK, që është pjesë e opozitës, përsëriti qëndrimin se në zgjedhjet e pranverës, qytetarët maqedonas duhet të votojnë për një president shqiptar, ndryshe nga 20 vitet e fundit.

“Për shqiptarët është një moment shumë i rëndësishëm për të menduar se cili duhet të jetë kandidati i ardhshëm që do të përkrahet nga partitë politike shqiptare, në radhë të parë BDI dhe PDSH. Jo rastësisht ne ofruam që partitë shqiptare të dalin me një kandidat të përbashkët për kryetar vendi, kryetar i cili do të ketë në konsideratë interesat e qytetarëve të Maqedonsië pa dallim etnik apo fetar”, tha Naxhi Xhelili, deputet i RDK-së.

Ndërkohë, në media kanë nisur të lakohen emrat e disa kandidatëve të mundshëm maqedonas që do të përkrahen nga partitë në pushtet, edhe pse zyrtarisht si pozita ashtu edhe opozita nuk ka dalë me asnjë emër.

Nga BDI thonë se për kandidatin për president janë të hapur të bisedojnë me të gjitha subjektet politike, por fillimisht do të kërkohet gjuha e përbashkët me partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Fillimisht do të bisedojmë me partnerin e koalicionit dhe me të gjitha partitë politike të tjera, pasi mendojmë që figura e presidentit është figura që duhet të bashkojë të gjitha klasat e shoqërisë, etnike, politike dhe sociale. Fillimisht duhet të arrihet konsensusi etnik dhe më pas ai politik”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni pritet të mbahen mesin e muajit prill.

Top Channel