Serbia është duke u përballur me një krizë të rëndë demografike, teksa lindshmëria ka rënë në ato nivele që kërcënon përgjysmimin e popullsisë brenda 50 viteve të ardhshme.

Gjatë 2013-s, e përditshmja “B92” informoi se u regjistruan 40 mijë vdekje më shumë se sa lindje.

Bashkuar me shpopullimin si rrjedhojë e emigracionit, Serbia rrezikon që në vitin 2060 të rikthehet në popullsinë e vitit 1927, me vetëm 4,5 milionë banorë, nga 7,2 që banojnë aktualisht në vend.

Me një lindshmëri prej 1,44 fëmijë për grua, Serbia ruan aktualisht një prej niveleve më të ulta të lindshmërisë në Europë.

Gjithashtu, me moshën mesatare mbi 42 vjeç, vendi ballkanik ka edhe një prej popullsive më të plakura të kontinentit.

Ndonëse rënia e numrit të rezidentëve në moshë aktive mund të zbusë disi problemet e papunësisë, kjo krizë demografike pritet që të shndërrohet në një prej problemeve kryesore të rritjes ekonomike serbe në dekadat e ardhshme.

Top Channel