Askush nga zyrtarët e lartë në Shkup nuk ka komentuar kryesimin e Bashkimit Europian nga Greqia në 6 muajt e parë të vitit 2014. Analistët maqedonas thonë se në axhendën greke askund nuk përmendet Maqedonia.

Ata nuk presin që gjatë kryesimit grek të BE-së të diskutohet për aspiratat europiane të Shkupit dhe nuk besojnë se mund të ketë ndonjë lëvizje pozitive gjatë kësaj periudhe në drejtim të zgjidhjes së problemit mes dy vendeve për emrin e Maqedonisë.

Ndërkohë, zv/ministri për Cështje Europiane në Shkup, Fatmir Besimi, që në ditën e parë të vitit 2014 ka paralajmëruar se procesi i anëtarësimit në BE dhe përmbushja e reformave mbetet prioritet strategjik për Maqedoninë.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se mbështetja për procesin e integrimit në BE ka shënuar rënie të vogël, ndërsa tek qytetarët janë shfaqur shenja të lodhjes nga pamundësia që vendi të shënojë progres për shkak të problemit me emrin. Besimi ka paralajmëruar aktivitete të shtuara diplomatike dhe disa vizita në Bruksel gjatë muajve të ardhshëm për të forcuar pozicionet e Maqedonisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës nuk presin asgjë të re në procesin e integrimit derisa vendi drejtohet nga një qeveri e cila, sipas tyre, nuk ka aftësi për të zgjidhur problemin e emrit me Greqinë që është një nga kushtet kryesore për përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Top Channel