Shkupi dhe Beogradi së shpejti pritet të firmosin një marrëveshje për shfrytëzimin e ambasadave të përbashkëta në disa shtete.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka sqaruar se qëllimi i kësaj iniciative është që të ulen shpenzimet dhe se nisma nuk ka prapavijë politike.

Ai më tej ka thënë se pavarësisht hapësirave të përbashkëta, misionet e dy vendeve do të jenë të ndara dhe nuk do të ketë diplomaci të përbashkët me Serbinë.

“Është një ide e vjetër për reailizimin e të cilës po punojmë prej një kohe të gjatë, jo vetëm me Serbinë, por edhe me Turqinë, Slloveninë dhe Malin e Zi. Ideja është që të kursejmë mjetet financiare për qera. Atje ku ne kemi hapësira më të mëdha t’u mundësojmë qasje përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera, ndërsa diku tjetër ata të na e mundësojnë neve. Pra, do t’i ulim shpenzimet duke shfrytëzuar hapësirat e dikujt tjetër. Në këtë iniciativë nuk ka prapavijë politike”, ka thënë Gruevski.

Ndërkohë, analisti Sefer Tahiri vlerëson se përmes kësaj iniciative qeveria maqedonase po tenton të forcojë marrëdhëniet me Beogradin më tepër se me vendet e tjera fqinje, si Shqipërinë dhe Kosovën, që sipas tij është hap shumë i gabuar.

“Në një farë mënyre qeveria e Maqedonisë edhe më parë ka shfaqur tendenca të këtilla, por tanimë haptas shfaq se është për ndërtimin e raporteve të shkëlqyera me Boegradin dhe raporteve në nivel mesatar me vendet e tjera. Konsideroj se nëse kjo praktikë do të vazhdojë dhe zbatohet, atëherë e njëjta duhet të vlejë edhe për fqinjët e tjerë, konkretisht për Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë Tahiri.

Iniciativa për përafqësi të përbashkëta diplomatike mes Shkupit dhe Beogradit është kundërshtuar edhe nga partia e ish-kryeministrit Lupço Georgievski, VMRO-Popullore.

Kjo parti opozitare akuzoi qeverinë se përmes kësaj nisme do t’i shkatërrojë ambasadat e Maqedonisë, që me shumë mund u hapën në fillim të viteve 90, pas pavarësimit të vendit nga ish-Jugosllavia.

Top Channel