Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin e quajti Kosovën aparteidin e fundit në Europë.

Kufizivimi i vizitës vetëm në komunën e Graçanicës e revoltoi tej mase ministrin serb, i cili ndryshe nga ç’ishte parashikuar nuk ndaloi fare në manastirin e Graçanicës, por kërkoi të shoqërohet deri në Deçan.

Në lidhje me ndalimin e vizitës në komunën e Gjakovës, Vulin tha se kjo dëshmon se aparteidi ekziston ende në këto hapësira për serbët.

“Serbët janë populli i fundit në Europë të cilët në ditën para Krishtlindjeve nuk mund të shkojnë në kishat e tyre”, tha Vulin në një deklaratë për gazetarët në Graçanicë.

Vulin nuk pranoi të komentonte gjatë arsyen e vërtetë të refuzimit të vizitës së tij në Gjakovë, krimet e luftës.

“Serbët  sot janë gjuajtur me gurë në Gjakovë, mua më është ndaluar madje të jem edhe me ta”, tha Vulin, i cili shtoi se dëshiron të shkojë në Deçan e të bisedojë me gjakovarët.

“Kush ka kryer krime, unë apo ti?”, ishte reagimi i zyrtarit serb kur u pyet nga Top Channel të komentojë faktin se vizita e tij në Gjakovë u ndalua për shkak të krimeve të kryera gjatë luftës.

Pas dy orë e gjysmë qëndrimi në Graçanicë, herë në rrugë e herë në kafene, ministri serb mori lejen e Prishtinës zyrtare për një vizitë të shkurtër në Deçan. Ai pritet ta kalojë natën në Graçanicë.

Top Channel