Kina, dritë jeshile bankave private

07/01/2014 00:00

Të paktën pesë banka private do të hapen në Kinë këtë vit, me qëllim zgjerimin e sektorit financiar dhe rritjen e konkurrencës në industri.
Bankat do të lejohen të operojnë në bazë të kritereve të caktuara, nën mbikëqyrjen e autoriteteve bankare kineze.

Financat private do të përdoren për të ristrukturuar bankat ekzistuese ose për ngritjen e institucioneve të reja që do të bartin rreziqet e tyre. Kina është përpjekur të hapë sektorin e saj të rreptë bankar me qëllim nxitjen dhe freskimin e rritjes ekonomike.

“Do të caktohen standarde dhe proçedura strikte, që do të shoqërohen me kritere, liçenca të kufizuara dhe një sistem mbikëqyrës për menaxhimin e rrezikut”, ka deklaruar Komisioni Rregullator Bankar Kinez. Komisioni në fjalë ka thënë gjithashtu se do të eksplorojë uljen e pragut për bankat e huaja, në mënyrë që ato të hyjnë në industrinë kineze.

Lëvizja e Kinës vjen në një moment kur në vend janë rritur shqetësimet për zgjerimin e operimit të të ashtuquajturave bankat-hije. Në vitet e fundit huadhëniet nga kompanitë jobankare janë rritur me shpejtësi në Kinë, duke shkaktuar një rritje të nivelit të borxhit në ekonominë e dytë të botës.

Kritikët kanë argumentuar se bankat ilegale përbëjnë rrezikun më madhor për ekonominë e Kinës dhe gjithashtu e bëjnë kreditimin më pak transparent. Të nxitur nga këto shqetësime, ligjvënësit kinezë kanë hartuar një rregullore të re për sektorin.

Top Channel