Eurozonë, rënie shqetësuese e inflacionit

07/01/2013 15:10

Inflacioni në Eurozonë njohu një rënie në 0,8% në Dhjetor, treguan të dhënat zyrtare të publikuara ditën e martë.

Këto të dhëna rrisin frikën e ekspertëve se Eurozona rrezikon një periudhë deflacioni, gjatë të cilës konsumatorët do të ngrijnë blerjet e tyre, me shpresën që çmimet do të reduktohen edhe më shumë.

Në një periudhë kur ekonomia europiane po tendon të rimëkëmbet nga një prej krizave më të thella që ka njohur, rënia e fuqisë blerëse do të ishte një goditje e rëndë për shumë prej bizneseve në vështirësi.

Aktualisht, inflacioni është ndjeshëm nën objektivin e Bankës Qëndrore Europiane prej 2% në vit.

Në Nëntor, Banka Qëndrore Europiane, duke reflektuar edhe këtë fenomen, vendosi që të ulte normën bazë të interesit në minimumin historik prej 0,25%.

Bordi drejtues i BQE-së do të diskutojë situatën më vonë gjatë javës, ndonëse nuk pritet të ndodhin ndryshime në politikën e bankës.

Gjatë javës së shkuar, presidenti i BQE-së, Mario Draghi deklaroi se shenjat e deflacionit nuk janë ende aq shqetësuese sa për të ndërmarrë veprime konkrete, por ai theksoi se është e rëndësishme që inflacioni të mos zbresë në mënyrë të qëndrueshme nën 1%.

Top Channel