Qindra qytetarë serbë, përfaqesuesit e komunave serbe, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, në kishen e Graçanicës pritën nënkryetarin e parë të Qeverisë Serbe, Aleksandër Vuçiç, për të zhvilluar më pas liturgjinë e Krishlindjeve Ortodokse.

Në të njëjtën linjë me retorikën e një dite më parë, të ministrit Vulin, pas përfundimit të liturgjisë edhe z.Vuçiç deklaroi se Serbia nuk e harron popullin e vet në Kosovë, por edhe atë jashtë saj.

Duke folur lidhur për incidentin e të hënës në Gjakovë, ky qytetarët shqiptarë nuk lejuan që atje të zhvillohet liturgjia pa kërkim faljen e shtetit serb, Vuçiç këtë veprim e quajti demostrim të urrejtjes histerike për çka tha se i vjen keq.

“Sot, pozita e popullit serb nuk është aspak e lehtë, nga thyerja e tabelës cirilike në Vukovar, veprim që për secilin serb është sikur ta godasësh me çekan në kokë, e deri tek sulmi i mbrëmshëm mbi autobusin me pelegrinë dhe urrejtjes histerike të cilën keni pasur mundësi ta shihni në Gjakovë”, akuzoi Vuçiç.

Pas liturgjisë në manastirin e Graçanicës, Vuçiç falënderoi serbët e Kosovës, të cilët siç tha ai po mbijetojnë përkundër jetës së vështirë dhe të gjitha problemeve me të cilat përballen pasi gjithkush po tenton që t’i largojë nga shtëpitë e tyre.  

Me tej, ai theksoi se Serbia dëshiron paqe, negociata dhe biseda por jo dhunë.

Ndyshe nga Graçanica, në Mitrovicën e Veriut, Krishtlindjet Ortodokse, të cilat cilësohen si festë e paqes, festimet kanë regjistruar një sërë incidentesh.

Policia ka raportuar për të shtëna të shumta me arme dhe rrahje masive ndërmjet një grupi të madh serbësh në sheshin kryesor, “Shumadija” në veri.

Sipas raportimeve, mbi 9-të persona kanë kërkur trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës Veriore.
 
 

Top Channel