Në Maqedoni ndotja e ajrit vazhdon të jetë e lartë. Masa e ndërmarra nga qeveria muajin e kaluar, nuk kanë dhënë rezultate e pritura. Në qytetet më të mëdha të vendit, prezenca e grimcave helmuese në ajër vazhdon të tejkalojë për disa herë normat e lejuara.

Gjendja më e rëndë paraqitet në Tetovë, ku në bazë të matjeve të fundit rezulton se prania e grimcave PM10 në ajër është 410 mikrogram për metër kub apo tetë herë më e lartë se sasia e lejuar që është 50 mikrogram. Me problemin e ndotjes së ajrit, po ballafaqohen edhe qytete tjera të mëdha si Shkupi, Kërçova e Manastiri. Madje në kryeqytet ditëve të fundit është shënuar rritje e sasisë së grimcave helmuese në ajër.

Ndërkohë, tek qytetarët janë shtuar dilemat dhe frika se ndotja e lartë e ajërit mund të ketë efekte negative edhe mbi produktet ushqimore, si pemët dhe perimet. Sipas ambientalistëve, shkaku kryesor për ndotjen e ajrit janë fabrikat të cilat nuk zbatojnë masat për mbrojtjen e mjedisit.

Pavarësisht kësaj situate Ministria e Ambjentit Jetësor më 30 dhjetor anuloi masat për ruajtjen e cilësisë së ajrit. Ditë më parë, qytetarët e Tetovës përmes një proteste kërkuan nga Qeveria masa më të rrepta kundër ndotjes së ajrit, që në këtë qytet ka shënuar nivel alarmues.

Protestuesit paralajmëruan masa më radikale nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre deri më 15 janar.

Top Channel