Me një ceremoni të thjeshtë dhe pa shumë pompozitet, por që është transmetuar nga qindra media të huaja, ka filluar mesditën e së mërkurës në pallatin Zappio të Athines praktikisht presidenca greke e BE për gjashtë muajt e ardhshëm, nën masa tepër të rrepta sigurie.

Kryeministri Andonis Samaras ka pritur presidentin e KE, Manuel Barroso dhe e ka prezantuar me gjithë anëtarët e qeverisë, ndërsa anëtarët e Kolegjit të Komisionerëve të BE kanë mbërritur me autobusa prej aeroportit të kryeqytetit.

Qeveria greke e konsideron presidencën e BE si një pikë fillimi për daljen nga kriza, duke u munduar të marrë sa më shumë të jetë e mundur nga ndikimi pozitiv që i jep ky funskion, në mënyrë që të përshpejtohen vendimet e pritshme të partnerëve të Greqisë për ristrukturimin e borxhit grek, çka do të ndryshonte për mirë ecurinë e ekonomisë.

Deklaratat e përbashkëta të kryeministrit Samaras dhe presidentit të KE, Barroso do të shërbejnë, sipas Athinës zyrtare, pa dyshim si një pikënisje për të çuar mesazhin kudo në Europë, se Greqia ka ndryshuar rrugën dhe ndodhet në monopatin e daljes nga kriza.

Në epiqendër të presidencës greke, ashtu siç ka theksuar kryeministri Samaras, do të jenë politika detare dhe Zona Ekskluzive Ekonomike, përballimi i emigracionit ilegal si një sfidë e re për sigurinë dhe mbrojtjen në Europë, krijimi i një mekanizmi që do të mbështesë, por dhe do të mbikëqyrë bankat, si dhe rimëkëmbja ekonomike.

Megjithëse Greqia ndodhet për herë të pestë në timonin e BE për një gjashtëmujor, kjo është hera e parë që presidenca e një vendi anëtar pritet me kaq skepticizëm dhe kritika për arsye të dështimit total të politikave që kanë ndjekur qeveritë e ndryshme greke në dy dekadat e fundit, çka ka sjellë edhe rrënimin e ekonomisë së vendit.

Vlen të përmendet se udhëheqësit e partive opozitare Syriza, Grekët e Pavarur dhe PKG nuk kanë pranuar të marrin pjesë në ceremoninë e dytë të pasdites në Pallatin e Madh të Koncerteve, për të dëgjuar fjalimet e përshëndetjes të kryemnistrit Samaras, të presidentëve të BE dhe të KE, në prani edhe të presidentit grek Karolos Papaulias.

Top Channel