Partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE e drejtuar nga kryeministri Nikolla Gruevski, sërish i propozoi opozitës që të votojë pro shpërbërjes së Parlamentit dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Propozimin e bëri në seancën e parë parlamentare për vitin 2014 deputeti Vllatko Gjorçev, pas akuzave të opozitës, se partia e Gruevskit ka humbur legjitimitetin për të drejtuar qeverinë.

“Meqë thoni se ka ardhur fundi i qeverisjes sonë, propozoj që të ndërpritet kjo seancë dhe ju ftoj që nesër të votojmë bashkë për shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pse s’keni guxim të pranoni propozimin tonë? Unë jam i sigurtë se ju, së paku në muajt e ardhshëm nuk do të përmendni zgjedhjet e parakohshme, sepse keni frikë se ato mund të mbahen bashkë me zgjedhjet presidenciale në pranverë, ku do të pësonit humbje të dyfishtë”, deklaroi Gjorçev.

Propozimi i deputetit të mazhorancës nuk është komentuar nga opozita maqedonase e cila këtë situatë e ka tejkaluar në heshtje. Sipas analistëve, partia maqedonase në pushtet po insiston në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare bashkë me ato presidenciale për të nxitur daljen në zgjedhje të mbi 40 për qind të trupit votues, si census i domosdoshëm për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, jozyrtarisht mësohet se edhe krahas kundërshtimit të partisë së Ali Ahmetit, presidenti aktual Gjorgje Ivanov mund të kandidohet edhe për një mandat presidenacial nga VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Top Channel