Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni akuzon drejtuesit e Ministrisë e Kulturës në Shkup për keqpërdorime, gjatë përgjedhjes dhe mbështetjes së veprave të autorëve shqiptarë.

Azam Dauti, nga Shoqata e Botuesve, thotë se Ministria e Kulturës nuk i përmbahet kritereve dhe financon veprat e disa autorëve shumë pak të njohur, ndërsa anashkalon autorët më të mirë shqiptarë.

Për t’i shmangur abuzimet dhe për të rritur cilësinë e veprave, botuesit propozojnë që të financohen vetëm veprat e shtëpive botuese dhe të përjashtohen nga konkurrimi institucionet e ndryshme kulturore dhe autorët si persona fizikë.

“Ne vlerësojmë se Ministria e Kulturës nuk ka dhënë asnjëherë mbi 1% mjete për kulturën shqiptare në përgjithësi, ndërkaq në botime kjo përqindje rritet, mund të jetë edhe 15 % dhe 20%, por çështja është se kujt i jepen ato libra dhe ajo mbështetje, a jepen ato mjete sa për sy e faqe apo vërtetë për ta avancuar botimin shqip”, deklaroi Dauti, nga Shoqata e Botuesve.

Por, këto akuza të Shoqatës së botuesve shqiptarë janë hedhur poshtë nga Ministria e Kulturës. Zyrtarët shqiptarë në këtë ministri, thonë se gjatë ndarjes së mjeteve financiare për veprat në gjuhën shqipe respektohen të gjitha kriteret.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, deklaroi: “Qëndrimi imë si përfaqësues i shqiptarëve këtu, ka qenë që në çdo sektor të Ministrisë së Kulturës, shqiptarët të kalojnë atë pjesë financiare që iu takon me Kushtetutë, dmth të marrin 25% dhe në shumicën e rasteve ku kemi projekte shqiptare ne marrim mbi 25%”, tha Bislimi.

Sipas Ministrisë së Kulturës, për vitin 2014 janë parashikuar rreth 800 mijë euro për mbështetjen e botimeve në Maqedoni, prej të cilave me mbi 200 mijë do të ndihmohen veprat e autorëve shqiptarë.

Top Channel