Takimi i Prizrenit shënon fillimin e qeverisjes së përbashkët
strategjike, me një qëllim dhe vizion euroatlantik, deklaron
kryeministri kosovar Hashim Thaçi, një ditë para zhvillimit të takimit
të parë të dy qeverive asaj shqipare dhe kosovare në Prizren.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.

“Është dashur sakrificë shekullore brezash, që të ndodhte krejt natyrshëm ky takim i përbashkët i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, i qeverive tona. Ky takim përshëndetet edhe nga miqtë ndërkombëtarë. U bënë gjashtë vite që në gjeografinë politike të Evropës, u lind një shtet i ri, shteti i Kosovës, ku edhe e kurorëzuam dinjitetshëm ëndrrën shekullore të qytetarëve tanë me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, shtet demokratik. Kur vendi ynë mori atributin më të lartë të organizimit politik të krijimit të shtetit të pavarur. Pavarësia e Kosovës ka sjellë më tepër paqe e stabilitet për tërë rajonin. Prandaj, ka qenë dhe mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me të gjitha vendet e rajonit. Nesër në Prizren mbahet mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh Thaçi.

Duke njoftuar antarët e kabinetit qeveritar Kryeministri Thaçi falënderoi Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë për angazhimin e tyre. Pa asnjë dyshim, Thaçi tha se, të shtunen ndodhë ngjarje historike që është pritur padrejtësisht të ndodhë për më tepër se një shekull. Pikëtakimi i dy qeverive shqiptare sipas Kryeministrit nuk është i rastësishëm.

Mbledhja e dy qeverive, Thaçi ndjek përgatitjet në Prizren

Shefi i protokollit të zyrës së kryeministrit të Kosovës, Edi Sejdiu ka postuar një foto në rrjetin social Twitter ku shihet kryeministri Hashim Thaçi duke inspektuar sallën ku do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare, nesër në Prizren.

Të dy kryeministrat kanë paralajmëruar se në këtë takim do nënshkruajnë disa marrëveshje të rëndësishme dypalëshe. Ndërkohë besohet se një nga marrëveshjet do të ketë të bëjë edhe me situatën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në anën tjetër, Thaçi nuk ka ngurruar që të këtë takim ta quajë historik, pasi po mbahet pikërisht në “qytetin e tolerancës dhe bashkëjetesës”.

“Jo rastësisht po mblidhemi në Prizren, qytetin e historisë dhe të ardhmes, qytetin e tolerancës dhe bashkëjetesës. Takimi i Prizrenit shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë. Mesazhin e rajonit me kufij të hapur, pa barriera të së kaluarës”, ka thënë kryeministri. 

Top Channel