“Mark Frroku i dënuar me 10 vite burg”

10/01/2014 00:00

Gazeta belge “La meuse” shkruan se deputeti shqiptar Mark Frroku rezulton i dënuar me 10 vite burg në Belgjikë, për një vrasje të vitit 1999.

Në artikullin me titull “Frroku akuzohet në Bruksel, bëhet deputet në Shqipëri”, gazeta njofton se çështja ndaj tij do të rishqyrtohet në muajin Shkurt, para Gjykatës Penale të Nivelles, mbi dënimin me 10 vjet burg, marrë në vitin 2010, nga Gjykata Penale e Brukselit.

Ky vendim, i 4 viteve më parë, është dhënë në mungesë, – shkruan gazeta, – pasi Frroku kishte arritur të fitonte lirinë, para se çështja ndaj tij të shkonte në gjykatë.

Gazeta shton më tej se kjo është një situatë krejtësisht e re në historinë e gjyqësorit belg, sepse është lejuar për të rigjykuar dy nga katër të akuzuarit shqiptarë, tashmë të dënuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999.

Sipas gazetës, viktima Aleksandër Kurti, me sa duket, kishte “shkelur” mbi aktivitetet e anëtarëve të tjerë, bosë ose anëtarë, të rrjeteve të imigracionit klandestin drejt Anglisë.

Pasditen e 5 Marsit 1999 – shkruan gazeta “La meuse”, – ai u gjend duke dhënë jetë, pas disa goditjeve me thikë, në një stacion treni.

Pas disa denoncimeve anonime, 4 shqiptarë u identifikuan si fajtorë, ndër të cilët Besnik Morina (me emrin tjetër Mark Frroku) dhe Ajan Bytyçi u klasifikuan si bashkëpunëtorë.

Gazeta thotë se ata u ndalën shumë kohë më vonë, përpara se të caktohej një datë për gjyqin në Bruksel, pikërisht më Janar të 2010-s. Që të katërt u shpallën fajtorë në përfundim të procesit dhe u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie, në mungesë, meqë ishin lënë të lirë më herët, e prej atij çasti s’u paraqitën asnjëherë para togave të zeza.

Gazeta shpjegon se, pas rekursit të Prokurorisë, gjykata shfuqizoi dënimin për Frrokun dhe Bytyçin dhe çështja duhet të rigjykohet. Në shkrim thuhet se çështja është planifikuar të rinisë në datën 10 Shkurt, por të dy të akuzuarit mungojnë dhe jetojnë të lirë në Shqipëri.

“Nuk kam dënim në asnjë vend të botës”
Reagon Mark Frroku: Lajmi është i pavërtetë, është i nxitur politikisht

Në lidhje me këtë lajm ka reaguar menjëherë deputeti Mark Frroku, i cili thotë se ky është një lajm i pavërtet dhe i nxitur politikisht.

“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se si qytetar shqiptar, njëkohësisht edhe qytetar amerikan, nuk kam asnjë kundravajtje apo dënim penal në asnjë vend të botës. Jam zgjedhur deputet me votat e popullit të nderuar të Shkodrës dhe të Pukës dhe i garantoj të gjithë votuesit, e mi dhe të Partisë Kristian-Demokrate, se deputeti Mark Frroku nuk ka asnjë problem me drejtësinë”, thotë Frroku.

Ai shton se, lidhur me akuzën apo dënimin e trilluar nga media, drejtësia e vendit në fjalë nuk ka asnjë akuzë apo dënim ndaj tij. “Media t’i referohet institucioneve zyrtare belge dhe të mos përhapë të pavërteta dhe shpifje kaq absurde”, thotë Frroku në deklaratën e tij.

Top Channel