Gjinekologu Mithat Sahiti thotë se ndihma që pritet të japë Fondi humanitar për Preshevën i dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, mund ta ndihmojë popullësinë shqiptare në jug të Serbisë.

Vetëm në Preshevë janë 350-400 lindje që kryhen çdo vit. Por, shumica e fëmijëve shqiptarë vendin e lindjes e kanë në Vrajë, që është mbi 40 kilometra largësi.

“Është më mirë për pacientin të lindë sa më pranë. Sigurisht që do të jetë edhe më mirë nëse mjeku që e ka përcjellë shtatëzaninë tërë kohës do të jetë i pranishëm edhe në aktin e lindjes. Gratë shkojnë të lindin në Beograd e Vrajë, por është jetike komunikimi i pacientit me mjekun gjatë momentin të lindjes”, thotë Sahiti.

Shqiptarët presin që një pjesë e ndihmave të shkojë për maternitetin, i cili është mbyllur 25 vjet më parë. Punimet janë kryer, por hapja nuk është bërë.

Riza Halimi, deputeti i vetëm në Kuvendin e Serbisë, thotë se shuma është simbolike, por angazhimi i parë konkret dhe rëndësia politike e këtij vendimi është e madhe, pasi është mbledhja e parë e dy qeverive dhe në të flitet për Preshevën.

“Kjo besoj se do të rezultojë me zgjidhje dhe me ballafaqim konkret me shqetësimet që kanë qytetarët e Luginës. Jemi në pozitën më të vështirë”, deklaron Halimi.

Nga ana tjetër, qytetarët thonë se ndihmat janë vërtetë të vogla. Vendimin e mirëpresin dhe thonë se sytë i kanë nga Kosova e Shqipëria.

“Ndihma është shumë simbolike dhe apeloj tek dy qeveritë që të marrin shembull nga serbët e Serbisë dhe serbët e veriut, sepse për ata atje janë mbledhur miliarda”, thotë një qytetar.

Megjithatë, ndryshimet janë të ngadalta dhe qeveria serbe do të duhej të ketë një fond zhvillimor. Por, deri atëherë shqiptarët në Serbi janë të lumtur që mbështetja morale ka kaluar në vendime konkrete.

Top Channel