Qeveria e Maqedonisë, përmes zëdhënësit të saj Muhamed Hoxha, ka përshëndetur mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që u mbajt në Prizren.

Zëdhënësi Hoxha me këtë rast njoftoi se autoritetet e Shkupit janë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët në Tiranë dhe Prishtinë për të realziuar seancat e para të përbashkëa qeveritare me këto dy vende.

“Qeveria e Maqedonisë përshëndet çdo iniciativë që është në kuadër të bashkëpunimit rajonal, siç është iniciativa apo mbledhja e dy qeverive që u mbajt sot mes Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëpunimi rajonal është prioritet edhe për qeverinë e Maqedonisë dhe në këtë drejtim ne kemi ngritur iniciativë që të mbajnë seanca të përbashkëta me të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm që një seancë të përbashkët të mbajmë edhe me qeverinë e Kosovës edhe me atë të Shqipërisë, ku do të bisedohen projekte të përbashkëta me këto vende”, ka deklaruar Hoxha.

Nga ana tjetër, kryetari i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi e ka quajtur marketing politik takimin e përbashkët të kryeministrave Edi Rama dhe Hashim Thaçi në Prizren. Menduh Thaçi është shprehur i revoltuar që dy kryeministrat janë fokusuar vetëm në gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kanë anashkaluar shqiptarët e Maqedonisë.

“Marketing politik i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Nuk ka asgjë serioze, sepse 1 milion herë përmenden shqiptarët e Preshevës që janë të rëndësishëm, por janë nja 30-40 mijë, asnjëherë nuk përmenden shqiptarët e Maqedonisë që po ashtu janë të rëndësishëm dhe janë rreth 1 milion”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, partia opozitare Dinjiteti, që tubon rreth vetes veteranët maqedonas të konfliktit të vitit 2001, e ka cilësuar mbledhjen në Prizren si pjesë e projektit për Shqipëri të Madhe dhe të dëmshme për maqedonasit.

Top Channel