Me britma zemërimi dhe parrulla kundër gjyqtarëve, gazetarëve dhe kryeministrit Samaras, kanë pritur vendimin e drejtësisë greke rreth 150 përkrahës të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë”, vendim që u ka dhënë masën e paraburgimit edhe dy deputetëve të tjerë të kësaj force politike, pas disa orësh deponimi para hetuesve dhe prokurorit përkatës.

Akuza kryesore, me të cilën përballen Jorgos Gjermenis dhe Panagiotis Iliopoulos, është ajo e pjesëmarrjes dhe e drejtimit të një organizate kriminale, për të cilën edhe Parlamenti u kishte hequr imunitetin para disa javësh.

“Terroristët qarkullojnë të lirë, politikanët mashtrues të Demokracisë së Re dhe të PASOK-ut qarkullojnë të lirë. Nuk është thirrur asnjë deputet apo ministër për t’u pyetur në lidhje me skandalet me ryshfetet dhe me korrupsionin. Të vetmit, që zvarriten në mënyrë të paligjshme në burgje dhe në hetuesi, janë deputetët e Agimit të Artë”, tha Ilias Kasidiaris, zëdhënës i “Agimit të Artë”, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Sipas dëshmive, Iliopoulos dhe  Gjermenis kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen operacionale të AA dhe në indoktrinimin ideologjik të rekrutëve të kësaj partie, qëllimi i së cilës ishte rrëzimi i demokracisë.

“Agimi i Arte është një parti e ligjshme politike dhe zhvillon një luftë të ndershme politike. Qoftë në Parlament, ku na ka dërguar populli grek për të përfaqësuar kombin, ashtu dhe në burgun e Koridhalosë, ku na çon sistemi i kalbur i ryshfeteve dhe korrupsionit, ne do të luftojmë për popullin grek dhe vendin tonë”, tha për “Reuters”, Panajotis Iliopoulos, deputet i AA.

Prej mëngjesit të së dielës është thirrur për deponim edhe një deputet tjetër i “Agimit të Artë”. Me masën e sotme, numri i ligjvënësve të “Agimit të Artë”, që ndodhen tashmë pas hekurave të burgut, në pritje të gjyqit, shkon në pesë të tillë, midis tyre kreu i partisë Nikos Mihaloliakos dhe numri dy i saj Christos Papas.

Janë gjithsej nëntë prej 18 deputetëve, me të cilët përfaqësohet kjo parti në Parlamentin grek, të cilët janë pjesë e një hetimi të gjerë, që ka nisur drejtësia greke ndaj kësaj force politike, vetëm disa javë pasi Parlamenti ka votuar pezullimin e subvencionimit shtetëror të saj.

“Agimi i Artë” renditet i treti në sondazhet e fundit në Greqi, ndërsa mediat e huaja vlerësojnë se ai mund të shtojë numrin e përkrahësve të tij, deri në zgjedhjet për Parlamentin Europian, në Maj të këtij viti.

Top Channel