Milani shkarkon Allegrin

13/01/2014 00:00

Ka përfunduar pas 3 sezonesh e gjysmë aventura e Massimiliano Allegrit tek Milani. Trajneri, së bashku me stafin e tij, është shkarkuar nga klubi kuqezi paraditen e së hënës.

Në komunikatën zyrtare lexohet se skuadra do i besohet përkohësisht zv/trajnerit Mauro Tassotti.

“AC Milan komunikon se ka shkarkuar nga detyra trajnerin e skuadrës së parë, zotin Massimiliano Allegri dhe stafin e tij. AC Milan dëshiron të falenderojë zotin Allegri dhe stafin e tij për punën e kryer dhe i uron suksese të mëtejshme profesionale. Skuadra i është besuar përkohësisht zotit Mauro Tassotti”, lexohet në komunikatë.

Ndërkohë, përsa i përket pasardhësit të Allegrit, mendohet se do të jetë Clarence Seedorf, ish-mesfushori i Milanit dhe aktualisht lojtar i Botafogos.

Sipas lajmeve të para, hollandezi mund të prishë që në këto momente kontratën e tij me skuadrën braziliane, pasi nuk e pengon klauzola që ka aktualisht sepse ajo është një klauzolë që atë nuk e lejon të luajë për skuadër tjetër dhe jo për ta drejtuar.

Ditën e enjte pritet që të prezantohet Clarence Seedorf si trajneri i ri i Milanit, ndërkohë që ndeshjen e Kupës që Milani do ta luajë ditën e mërkurë me Specian, do ta drejtojë Mauro Tassoti.

Top Channel