Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar të hënën se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojë më 28 janar.

“Me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, jemi marrë vesh që dialogu të vazhdojë më 28 janar”, ka thënë Daçiç.

Ai po ashtu ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në veri të Kosovës, të parashikuar në Marrëveshjen e Brukselit.

“Duhet të gjejmë kompromis, nuk duhet ta izolojmë veten”, ka shtuar Daçiç, i cituar nga agjencia serbe e lajmeve “B92”.

Javën e kaluar grupet teknike nga Prishtina dhe Beogradi rinisën në Bruksel negociatat për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Qeveria e Kosovës bëri të ditur se temë qendrore e bisedimeve ishte çështja e zbatimit të rezultateve nga zgjedhjet lokale.

Sipas qeverisë, këto rezultate duhet të legjitimohen “sipas ligjeve të Kosovës në komunat veriore të vendit”.

Top Channel