Nisma e BDI-së për një kandidat konsensual mes partive shqiptare dhe maqedonase për president të vendit është mirëpritur nga drejtuesit e partisë më të re në skenën politike në Shkup, Aleanca për Maqedoni Pozitive.

Dy themeluesit e kësaj partie, kryetari aktual Lupço Zikov dhe ish-kryeministri Vllado Buçkovski, pas një takimi me kreun e BDI-së Ali Ahmeti kanë vlerësuar konceptin e BDI për president konsensual, duke theksuar se nisma të tilla ndikojnë në stabilzimin e skenës politike dhe bashkëjetesës në vend.

Por ndërkohë që Ahmeti vazhdon ta afirmojë idenë e tij, lideri i partisë shqiptare në opozitë Menduh Thaçi, këtë nismë e ka quajtur qesharake. Sipas Thaçit, oponenti i tij partiak Ali Ahmeti hap tema të parëndësishme, në pamundësi për të ndaluar politikat antishqiptare të qeverisë ku bën pjesë edhe partia e tij, BDI.

“Është shumë joserioze. Presidenti në Maqedoni nuk ka kurrëfarë kompetencash, as kushtetutuese, as ligjore. Më vjen keq, por zoti Ahmeti është në një pozitë shumë të rëndë dhe tani nxjerr tema qesharake. Në vend që të flasë për Gruevskin, qeverinë, vendimet e shumta anti-shqiptare të qeverisë që bien në kundërshtim me aspiratat tona për në NATO dhe BE, Ahmeti zbulon tema qesharake. Nuk është me rëndësi presidenti”, ka thënë Thaçi.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni pritet të mbahen në prill të këtij viti, ndërsa partitë ende nuk i zbulojnë emrat e kandidatëve me të cilët do të marrin pjesë në garë.

Top Channel